Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë këtij viti, ndërkohë që ka tejkaluar krizën e çmimeve.
Ky rikthim i stabilitetit të çmimeve është shoqëruar me lehtësim të kostove të jetesës së familjeve dhe rritje të investimeve të bizneseve. Këto vuri në dukje Guvernatori Gent Sejko në pritjen e fundvitit me gazetarë, analistë e drejtues mediash, teksa theksoi më tej se në fokus të Bankës së Shqipërisë do të vijojë të jetë stabiliteti i çmimeve për shkak të ndikimit që ka direkt në ekonomi.
Në rezymenë e vitit aktual, guvernatori nënvizoi si arritje anëtarësimin në SEPA, benefitet e të cilit pritet të shikohen në vitin 2025 e në vijim përmes lehtësimit më kryerjen e transfertave financiare ndërkufitare me vendet e Bashkimit Evropian, duke i bërë ato më të shpejta dhe me kosto më të ulët. Një hap ky, sipas Sejkos, shumë i rëndësishëm drejt integrimit ekonomik dhe përmirësimit të shërbimeve për bizneset dhe konsumatorët.
Ky takim është kthyer në një traditë ku opinionbërës, influencues të mendimit publik dhe zëra të fuqishëm të gazetarisë na nderojnë me prezencën e tyre, jo vetëm për të kaluar disa momente me njëri-tjetrin, por edhe për të zhvilluar paralelisht edhe një tjetër aktivitet të veçantë, atë të shpërndarjes së çmimit të Guvernatorit për punimin më të mirë.
GUVERNATORI
Gjatë fjalës së tij me të ftuarit, Sejko theksoi se zhvillimet e reja teknologjike dhe pasiguritë globale e bëjnë komunikimin e bankave qendrore me publikun edhe më të rëndësishëm. Për Shqipërinë, ky komunikim merr më shumë vlerë, në kushtet kur individët sfidohen nga niveli jo i kënaqshëm i kulturës financiare, veçanërisht asaj digjitale.
Megjithatë, në sajë të punës dhe bashkëpunimit të ngushtë me mediat, banka qendrore ka arritur të përçojë në publik qëndrimin dhe pasojat e pritshme të çdo politike të ndërmarrë, duke pasqyruar të vërtetën dhe eliminuar çdo keqinterpretim apo devijim prej saj. Në vijim të aktivitetit, siç është traditë, u vlerësuan edhe tre fituesit e “Çmimit të Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2024”, një konkurs që organizohet prej 18 vjetësh nga Banka e Shqipërisë dhe i fton studentët shqiptarë kudo në botë të prezantojnë punimet e tyre në fushën e ekonomisë dhe financës. Këtë vit në të morën pjesë 24 studentë të niveleve të ndryshme studimore.
Temat e paraqitura trajtonin objektivat dhe politikat tradicionale të bankave qendrore. Njëkohësisht shumë prej tyre ishin fokusuar te çështjet që kanë dominuar aktivitetin e BSH-së gjatë vitit 2024, pa lënë mënjanë problematika që lidhen me ndryshimet klimatike, edukimin dhe përfshirjen financiare të popullatës dhe sistemet e pagesave.