Nga 11 janari deri në 11 mars të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë dhe që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në 11 maj mund të regjistrohen në platformën e ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komisioneri Qendror i Zgjedhjeve i pranishëm në nënkomisionin parlamentar të diasporës siguron se vota e emigrantëve është mbrojtur pasi janë një sërë mekanizmash të ngritura që garantojnë transparencë dhe numërim të drejtë. Ilirjan Celibashi njoftoi se para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se, procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe në kuptim të afateve që ky kod ka përcaktuar, për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë. Procesi merr 60 ditë, teksa qeveria ka garantuar buxhet të plotë, duke llogaritur 100 mijë votues emigrantë, por është shprehur e gatshme ta mbulojë postën e dërgimkthimit edhe nëse do të jenë më shumë votues në Diasporë. Ai shtoi se janë një milion e ca votues jashtë Shqipërisë dhe ka shumë pa dokumente të vlefshme, ndaj duhet bërë përjashtim për ta, që të shtyhet afati i dokumenteve të pavlefshme me rastin e zgjedhjeve. Celibashi u shpreh pro shtyrjes së afatit për dokumentet e emigrantëve, por jo për ata në Shqipëri.
“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”,- u shpreh Celibashi. Pyetja kryesore e ligjvënësve të nënkomisionit ishte nëse KQZ e garantonte këtë proces dhe afatet që kërkoheshin për realizimin e tij apo nëse mund të finalizohej para datës 11 maj, kur edhe votohet. Deputetët kërkuan sqarime dhe detaje nëse afati është i mjaftueshëm, që nga hartimi i dokumenteve, si pasaportat biometrike, regjistrimi, dërgimi i postës dhe kthimi i përgjigjes. Deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku, shprehu pasiguri dhe dyshime, duke kërkuar garanci nga Celibashi nëse ky proces realizohet pa u cenuar dhe brenda afateve.
“Po ekspozoj shqetësime reale që publiku dhe opozita ka, që garanton mbarëvajtjen e procesit, sepse cenimi i tij do ketë dëm të jashtëzakonshëm, ndaj a ka garanci ky proces”,-tha Çollaku. Lidhur me kostot e shërbimit postar, Celibashi pohon se qeveria i ka parashikuar në buxhet paratë si për dërgimin e fletës së votimit ashtu dhe për kostot e kthimit të saj në KQZ, por për këtë të dytën kërkohet ndryshim në Kodin Zgjedhor.