Procesi “Plumbi i Artë”, debate për dëshminë e Dumanit: SPAK kërkon seancë pa media

Shqipëria

Procesi “Plumbi i Artë”, debate për dëshminë e Dumanit: SPAK kërkon seancë pa media

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 10:09
Nuredin Dumani

Procesi gjyqësor i njohur si “Plumbi i Artë” ka rinisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mes debatesh të ashpra lidhur me dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, ka kërkuar që dëshmia e Dumanit të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se ajo përmban informacione konfidenciale dhe mund të dëmtojë imazhin publik të procesit.

Kërkesa e prokurores është kundërshtuar ashpër nga avokatët mbrojtës dhe të pandehurit, të cilët kanë kërkuar prezencën e mediave në sallë. Sipas tyre, një proces i tillë duhet të jetë transparent, duke respektuar të drejtën për pasqyrim publik të seancave gjyqësore.

Një nga të pandehurit, Petrit Qoli, i cili ka qenë në paraburgim për më shumë se dy vjet e gjysmë, shprehu pakënaqësinë e tij: “Kam respekt për mediat. Mbahem 2 vjet e gjysmë i paraburgosur vetëm nga fjalët e këtij (duke drejtuar gishtin nga Nuredin Dumani). Kam kërkesë që media të pasqyrojë pretendimet e mia.”

Mbrojtja ka vënë në dukje se kërkesa për një seancë me dyer të mbyllura është e pazakontë, pasi në fazën e gjykimit nuk mund të ketë më sekret hetimor, sipas legjislacionit në fuqi.

Procesi pritet të vijojë me debatet mbi këtë çështje dhe dëshminë e Nuredin Dumanit, i cili mbetet një nga dëshmitarët kyç në këtë proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat