KPA largon përfundimisht nga Drejtësia prokuroren e Shkodrës! Edlira Cufit iu gjet lidhja me të dënuarin për prostitucion, i mbylli dosjen

Shqipëria

KPA largon përfundimisht nga Drejtësia prokuroren e Shkodrës! Edlira Cufit iu gjet lidhja me të dënuarin për prostitucion, i mbylli dosjen

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 11:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Vettingu nxjerr përfundimisht nga radhët e Drejtësisë një tjetër magjistratë. Prokurorja e Shkodrës, Edlira Cufi, nuk do të jetë më në detyrë, pas vendimit të sotëm të KPA-së me formë të prerë, që la në fuqi vendimin e shkallës së parë të KPK, i marrë 2 vite më parë.

Lidhjet e dyshimta dhe problematikat në hetimin e dosjeve, raportet e DSIK-së dhe i ONM-së, nxorën magjistraten jashtë sistemit. Shkaku kryesor ishte përdorimi i makinës së një personi kontingjent krimi për prostitucion, që nuk e kishte raportuar, teksa i kishte mbyllur edhe dosjen penale.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 25/2022, datë 03.06.2022, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Edlira Cufi, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 509, datë 17.02.2022”, thuhet në njoftimin zyrtar të KPA-së.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, në mënyrë unanime vendosi ‘lënien në fuqi të vendimit nr. 509, datë 17 shkurt 2022’, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për largim nga sistemi në 15 vitet e ardhshme.

DSIK-ja dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit zbuluan lidhjen e prokurores së Shkodrës Edlira Cufi me pronarin e biznesit të shitjeve të makinave në Shkodër A. H., i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe shitje droge. Prokuroja i mbylli një dosje për trafik makinash dhe mori një makinë në përdorim për 7 vite. Këtë raport e fshehu para Vetingut. Cufi sipas raportit, pati edhe udhëtime dhe telefonata me njerëz të tjerë të proceduar. Të gjitha këto çuan në përfundimin e shkarkimit nga KPK dhe tashmë me formë të prerë nga KPA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat