Gara për dominimin e qiellit në Ballkan është ashpërsuar më tej. Me aeroportin e Rinasit që tashmë është shndërruar nyja qëndrore në rajon, vendet e tjera po kërkojnë rrugë për të thyer dominimin e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nisur një program subvencionesh direkte për kompanitë ajrore që fluturojnë nga dy aeroportet më të rëndësishme të saj, atë të Shkupit dhe aeroportin e Ohrit.
Në fillim të shtatorit 2024, Ministria e Transportit shpalli një thirrje të hapur për kompani ajrore, duke ofruar një subvencion prej 9 euro për pasagjer në Aeroportin e Shkupit dhe 12 euro për pasagjer në Aeroportin e Ohrit.
Këto subvencione synojnë të inkurajojnë kompanitë ajrore të shtojnë linja të reja, të rrisin frekuencat e fluturimeve dhe në fund të rrisin trafikun e pasagjerëve në aeroportet e vendit.
Qeveria ka ndarë gjithsej 6,3 milionë euro për programin e subvencioneve për periudhën 2025-2027, me qëllim që të rritet numri vjetor i pasagjerëve me 200 mijë në të dy aeroportet.
Ministri i Transporteve,Aleksandar Nikoloski zbuloi gjithashtu se ministria po përgatitet të lëshojë një thirrje të dytë të hapur për subvencionet e linjave ajrore në javët e ardhshme, duke sinjalizuar përkushtimin e vazhdueshëm të qeverisë për të përmirësuar lidhjen ajrore të Maqedonisë së Veriut.
Kjo nismë e qeverisë së Maqedonisë së Veriut vjen në një kohë kur gjithmonë e më shumë pasagjerë nga ky vend po fluturojnë përmes aeroportit të Rinasit, jo vetëm për shkak të çmimeve më të ulëta, por edhe konektivitetit më të madh që ofron aeroportin ndërkombëtar i Tiranës. Me sa duket ky fenomen ka filluar të shqetësojë qeveritë e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk duan të shohin biznesin e madh të fluturimeve, që të përqëndrohet në Tiranë.
Kompanitë reagojnë
Kompanitë ajrore i janë përgjigjur pozitivisht programit të subvencioneve. Trë kompani të mëdha njoftuan se nga marsi i vitit të ardhshëm do të nisin rrugë të reja nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit.
Flydubai, Turkish Airlines dhe Wizz Air do të sjellin secili linja të reja fluturimi në Maqedoninë e Veriut, duke përmirësuar lidhjet e vendit me Evropën dhe Lindjen e Mesme.
Flydubai do të fillojë fluturimet direkte midis Shkupit, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, dhe Dubait, një qendër kyçe e biznesit dhe turizmit në Lindjen e Mesme. Këto fluturime direkte do të nisin më 30 mars 2025.
Turkish Airlines do të prezantojë një linjë të re që lidh Ohrin me Stambollin, duke ofruar një lidhje tjetër thelbësore midis Maqedonisë së Veriut dhe qytetit më të madh të Turqisë.
Wizz Air, tashmë një lojtar i madh në tregun e fluturimeve të Maqedonisë së Veriut, do të zgjerojë praninë e tij duke nisur fluturime të reja nga Shkupi në Barcelonë, Lion dhe Shtutgart. Për më tepër, ëizz Air do të fillojë fluturimet nga Ohri në Basel-Mulhouse, një qendër e rëndësishme evropiane e vendosur në kufijtë e Francës, Zvicrës dhe Gjermanisë.
Shtimi i këtyre linjave të reja ajrore pritet të nxisë ndjeshëm udhëtimin e biznesit dhe të kohës së lirë në Maqedoninë e Veriut, duke inkurajuar më shumë vizitorë të eksplorojnë bukuritë natyrore të vendit, vendet historike dhe skenën e gjallë kulturore.
Rritja e numrit të pasagjerëve
Aeroportet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut në Shkup dhe Ohër kanë përjetuar tashmë rritje të konsiderueshme vitet e fundit. Në vitin 2023, të dy aeroportet së bashku trajtuan 3.1 milionë pasagjerë, që përfaqëson një rritje prej 32.8% krahasuar me një vit më parë. Kjo rritje tregon tërheqjen në rritje të Maqedonisë së Veriut si një destinacion udhëtimi, veçanërisht në vazhdën e rritjes së lidhjes ndërkombëtare dhe përpjekjeve për të promovuar sektorin e turizmit të vendit.
Me futjen e linjave të reja të fluturimeve nga Flydubai, Turkish Airlines dhe Wizz Air, numri i pasagjerëve pritet të rritet më tej, duke tërhequr turistët dhe udhëtarët e biznesit. Linjat nga Shkupi drejt qyteteve të njohura evropiane si Barcelona, Lioni dhe Shtutgarti do të ofrojnë akses më të madh për udhëtarët nga Evropa Perëndimore, ndërsa lidhja e re midis Ohrit dhe Stambollit do të hapë mundësi për rritjen e tregtisë dhe turizmit midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.