Tiranë, ambasada e SHBA-ve: Nuk angazhohemi me të përcaktuarit për korrupsion madhor

Shqipëria

Tiranë, ambasada e SHBA-ve: Nuk angazhohemi me të përcaktuarit për korrupsion madhor

Më: 17 dhjetor 2024 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Në Tiranë, ambasada amerikane ripërsëriti sot se nuk mban marrëdhënie me personat, të cilët janë përcaktuar më herët nga Departamenti i Shtetit, duke iu referuar qartazi ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Ky qëndrim pason një seri takimesh që e Ngarkuara me Punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Nancy VanHorn, ka patur me përfaqësues të opozitës.

Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjetet sociale ajo thekson se “ne i qëndrojmë pozicionit tonë të kahershëm se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për përfshirje në korrupsion madhor”.

Zonja VanHorn bëri të ditur se në takimet me përfaqësues të opozitës ka dëgjuar këndvështrimet e tyre mbi sfidat me të cilat përballet populli shqiptar, shqetësimet për mjedisin e ardshëm zgjedhor dhe se si Shqipëria mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë”.

Ajo nënvizoi se “një opozitë e shëndetshme është pjesë me rëndësi kritike e një demokracie të gjallë” dhe nxiti të gjitha palët “të angazhohen në mënyrë konstruktive në një proces politik që është i barabartë për të gjithë”.

Në maji të vitit 2021, zoti Berisha u përcaktua nga SHBA-të “si i përfshirë në korrupsion në korrupsion madhor”. Në deklaratën e Departamentit amerikan të Shtetit theksohej se veçanërisht si kryeministër i Shqipërisë, zoti Berisha “ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetjake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë“.

Deklarata e DASH vinte në dukje po ashtu se “retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë”.

Në korrik 2022 dhe Londra vendosi të mos lejojë hyrjen e ish kryeministri Berisha në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të lidhjeve me grupe të krimit të organizuar, “të cilat ai është i gatshëm t’i përdorë për pasurim korruptiv të vetes dhe rrethit të njerëzve pranë tij, si dhe për të realizuar ambicjet e tij politike”.

Nga ana e tij, zoti Berisha i ka hedhur poshtë këto cilësime, duke i quajtur si të sponsorizuara nga kryeministri Edi Rama dhe ka bërë disa përpjekje të pasuksesshme me avokatë për t’i rrëzuar ato përmes proceseve gjyqësore në Paris dhe në Londër.

Ndërkaq ish kryeministri Berisha është akuzuar nga SPAK-u nën dyshimet për korrupsion për çështjen e privatizimit të klubit Partizani, një proces që është në pritje për t’u trajtuar nga drejtësia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat