Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar në studion e “Open” detaje të reja nga dëshmia e Nuredin Dumanit në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Ajo theksoi se Prokuroria kishte vendosur që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, një vendim që ka shkaktuar përplasje mes të pandehurve dhe avokatëve.
Sipas saj, të pandehurit dhe avokatët argumentuan se procesi duhet të jetë transparent, ndërsa kjo është një praktikë e zakonshme në këtë gjykatë ku të penduarit kanë dhënë dëshmitë e tyre me dyer të mbyllura.
Lala shtoi se pas këtij vendimi, të pandehurit dhe avokatët janë larguar demonstrativisht nga salla e gjyqit.
Ajo theksoi rëndësinë e dëshmisë së Dumanit, duke thënë se ajo është prova kryesore që Prokuroria po përdor për të mbështetur akuzat ndaj pjesës më të madhe të të akuzuarve. Sipas saj, është në interesin e të pandehurve që të përpiqen ta rrëzojnë këtë dëshmi.
“Prokuroria ka menduar se seanca duhet të jetë me dyer të mbyllura. Ka pasur përplasje mes të pandehurve dhe avokatëve sepse sipas tyre procesi duhet të jetë transparent. Në këtë gjykatë historikisht të penduarit janë rrëfyer me dyer të mbyllura. Në mënyrë demonstrative kur u mor ky vendim të pandehurit dhe avokatët u larguan nga salla e gjyqit. Duke qenë se dëshmia e Dumanit është prova kryesore e prokurorisë për të provuar akuzat ndaj pjesës më të madhe të të akuzuarve, është në interesin e të pandehurve që të rrëzojnë këtë dëshmi”, u shpreh ajo.