Sot, në Ditën Kombëtare të Diasporës, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës: Kryetarin Mark Gjonaj dhe anëtarët Lazim Destani, Emina Cunmulaj, Rosario Petta, Anxhela Paparizo, Ira Londo, Drita Gjongecaj, Mirela Mezani, Vaxhid Sejdiu, Ardian Lekaj, Besmir Rrjolli, Anila Hyka Smorgrav, Sezar Jakupi, Brikena Muharremi, Ermal Sulaj.
Spiropali u shprehu anëtarëve të Këshillit mirënjohjen për përkushtimin e tyre me pasion e zemër, me fuqi dhe energji intelektuale e shpirtërore për fuqizimin e bashkëpunimit të komuniteteve të Diasporës me Shqipërinë.
Spiropali dhe anëtarët e Këshillit diskutuan mbi kushtet ligjore për mundësinë e votimit të anëtarëve të Diasporës nga vendet ku jetojnë, të cilat u krijuan pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Tashmë po zgjidhen edhe modalitetet teknike të realizimit të këtij procesi dhe Kuvendi e Këshilli do të bashkëpunojnë për organizimin e fushatave ndërgjegjësuese që kjo e drejtë politike e fituar të ushtrohet nga sa më shumë pjestarë të Diasporës.
U diskutua gjithashtu edhe mbi rritjen e kontributit të Diasporës dhe të potencialeve të saj financiare, njerëzore e sociale në zhvillimin e Shqipërisë si edhe mbi bashkëpunimin për krijimin e mundësive për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e lindur në vendet pritëse, duke përdorur edhe format e mësimit online. Investimi për gjuhën shqipe, si përbërës i identitetit dhe faktor i bashkimit të shqiptarëve, do të jetë një prioritet i bashkëpunimit të Kuvendit me Këshillin Koordinues të Diasporës.