Presidenti i Republikës Begaj pret Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare

Shqipëria

Presidenti i Republikës Begaj pret Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare

Më: 18 dhjetor 2024 Në ora: 14:06
Presidenti i Republikës Bajram Begaj

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, sot, në Ditën Kombëtare të Diasporës, priti në Institucionin e Presidentit Këshillin Koordinues të Diasporës Shqiptare.

Duke shprehur mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për kontributin e tyre në dobi të kombit shqiptar, Kreu i Shtetit theksoi: “Shteti shqiptar, në zbatim të detyrimeve kushtetuese, duhet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë përkohësisht ose gjithmonë. Ai do të vijojë të punojë për të përcjellë kudo në botë të gjitha vlerat e lidhura me trashëgiminë tonë historike dhe kulturore”.

Presidenti Begaj theksoi në përshëndetjen e tij se “Ju, shqiptarët e Diasporës, jeni energjia më pozitive e Shqipërisë, jeni shembulli më frymëzues se si shqiptarët, pavarësisht vështirësive, kanë arritur të integrohen, të bëhen pjesë aktive e shteteve ku ata jetojnë por, nga ana tjetër, nuk e kanë harruar atdheun e tyre të parë, dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Gjithashtu, Presidenti vlerësoi të gjitha iniciativat, organizimet e Diasporës shqiptare në mbrojtjen, ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe, duke falënderuar në mënyrë të veçantë mësuesit vullnetarë për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimit të gjuhës shqipe.

Së bashku me Këshillin Koordinues të Diasporës, Presidenti ndau ide dhe propozime mbi gjetjen e rrugëve të reja për lehtësimin e mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e lindur në Diasporë nëpërmjet krijimit të platformave kombëtare televizive.

Kreu i Shtetit, pasi mori falënderimet e Këshillit mbi qëndrueshmërinë e tij në betejën për të krijuar mundësinë e votimit të Diasporës që në ditën e parë të betimit të tij, u shpreh: “Vota e Diasporës është shumë e rëndësishme dhe përcaktimi i datës së zgjedhjeve më 11 maj kishte të bënte me faktin e realizmit të kësaj vote. “Mendoj se vota e Diasporës është shumë domethënëse për Shqipërinë”, – shprehu edhe një herë bindjen e tij Presidenti Begaj.

Presidenti i Republikës bëri të ditur në këtë takim që ai do të vijojë me iniciativat e tij të promovimit të vlerave të modelit të shqiptarit të mirë, kudo ku ai ndodhet, jeton dhe punon, ruajtjen e gjuhës shqipe si ADN-ja e identitetit tonë kombëtar, leximit të librit shqip dhe trashëgimisë sonë të pasur historike e kulturore.

Në mbyllje të këtij takimi, Presidenti Begaj shprehu se e konsideron Diasporën shqiptare si një dhe të vetme dhe se “vetëm po të jemi të gjithë bashkë, do të jemi më të fortë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat