Dy ishin fjalët kyçe të përdorura nga udhëheqësit europianë gjatë samitit të fundit BE-Ballkani Perëndimor (BP): zgjerimi dhe integrimi gradual në tregun e përbashkët europian.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dhe presidenti i ri i Këshillit të BE-së, Antonia Costa, u shprehën me tone optimiste rreth procesit të zgjerimit dhe reformave që po ndërmarrin gjashtë shtetet e të Ballkanit Perëndimor në kuadër të anëtarësimit. Në fjalën e tyre para gazetarëve, ata njëzëri theksuan veçanërisht progresin e bërë nga Mali i Zi dhe Shqipëria gjatë vitit të fundit. Deri tani,BE dhe Shqipëria kanë hapur dy nga 35 grup-kapitujt e negociatave, më konkretisht atë të politikës së jashtme si dhe politikat e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Mosmarrëveshjet me Greqinë
Pak para nisjes për në samit, kryeministri grek Mitsotakis i rikujtoi Shqipërisë respektimin e të drejtave të pakicës greke. Ai deklaroi para gazetarëve, se "Greqia nuk do ta pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por vetëm me kushtin që Tirana të respektojë pakicën etnike greke”. Marrëdhëniet diplomatike mes të dy vendeve u tensionuan me arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës. Fredi Beleri, i cili pas daljes nga qelia ku vuajti dënimin për blerje votashh, u ul në Parlamentin Europian si eurodeputet që përfaqëson partinë "Demokracia e Re”, kryetar i së cilës është Mitsotakis. "Ekziston një rrugë e vazhdueshme kushtëzimi, ku ne jemi në thelb rregullatorët e shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të shkojë drejt Europës " - tha Mitsotakis para se të udhëtonte drejt Brukselit për në samitin e Ballkanit BE-Perëndimor.
Një ditë më pas, në deklaratën e përbashkët të firmosur nga 27 shtetet anëtare të Unionit dhe gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, u theksua se: "Bashkimi Europian u bën thirrje partnerëve që të garantojnë të drejtat dhe trajtim të barabartë për anëtarët e pakicave”.
Migracioni
Një ndër temat kryesore për të cilën BE-ja vijon ta ketë prioritet sa herë që ulet në tryezë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, është menaxhimi më i mirë i kufijve. Migracioni i paligjshëm mbetet një sfidë madhore, duke qenë se rajoni mbetet tranziti i emigrantëve që synojnë të mbërrijnë në Europën Perëndimore. Deri tani, BE përmes FRONTEX, realizon ruajtjen e përbashkët të kufirit vetëm me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga ana tjetër, Shqipëria firmosi një vit më parë edhe një marrëveshje të rrallë me një shtet anëtar të BE-së, si Italia. Kjo e fundit kërkoi ndihmën e Shëipërisë për të menaxhuar krizën e migrantëve në ujërat e territorit të saj. Marrëveshja mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe homologut shqiptar, Edi Rama çoi në ngritjen e dy kampeve të refugjatëve, një në portin e Shëngjinit dhe një në fshatin e Gjadrit në Lezhë, ku do të shqyrtoheshin kërkesat për azil të emigrantëve që mbërrijnë nga Afrika për në Itali përmes detit. Nga nënshkrimi i marrëveshjes e deri pak javë më parë, Italia dërgoi dy grupe të vogla emigrantësh, të cilët u kthyen mbrapsht në Itali pasi gjykatat italiane u shprehën kundër dërgimit të tyre në Shqipëri, me argumentimin se shkeleshin të drejtat e njeriut.
Në deklaratën e firmosur (18.12.2024) në Bruksel, shtetet anëtare dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ranë dakord për "të forcuar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik në menaxhimin e migracionit”. Pavarësisht progresit të bërë, u tha në deklaratë, vijojnë të mbeten problematike çështjet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimi i organizuar.
Plani i rritjes ekonomike për BP
Miliardat e investuara nga Bashkimi Europian në Ballkanin Perëndimor gjatë viteve të fundit kanë si qëllim që të mbushin boshllëqet ekonomike të rajonit dhe ta sjellin atë më afër standardeve europiane. Sipas Costas, investime do të thotë "më shumë vende të reja pune dhe shërbime më të mira në dekadën e ardhshme”. Së bashku me von der Leyen, ata thanë se anëtarësimi në BE dhe integrimi gradual në tregun e përbashkët europian janë përparësitë kryesore.
"Që nga tetori i vitit 2020 kemi investuar 30 miliardë euro për rajonin, për ndërtimin e urave, rrugëve, rrjeteve që na lidhin dhe na sjellin më afër me njëri-tjetrin” – shefja e ekzekutivit të Unionit.
Ndër zhvillimet më të rëndësishme rajonale kanë qenë lëvizja pa viza mes shteteve ballkanike, marrëvëshja e Roaming dhe pagesa më të shpejta përmes SEPA (Single Euro Payment Area) që sjell kosto më të ulëta transfertash për qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor./DW