Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në DPPSH, Drejtorinë e Hetimit Doganor, Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si rezultat i veprimeve të kryera me metoda proaktive në kuadër të dy procedimeve për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kanë finalizuar 2 operacione për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 1” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale, u arrestua në flagrancë shtetasi E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, dhe u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2.3 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Elbasan, me vlerën 45 000 euro, 170 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë që u gjet në banesën e shtetasit E. D., shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
-Si rezultat i operacionit të koduar “Destinacioni 2” u godit një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike cannabis sativa nga Tajlanda në Shqipëri, nëpërmjet shërbimit postar. Për këtë veprimtari kriminale u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. L., 19 vjeç dhe një shtetas 17 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 18 vjeç dhe E. L., 18 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1.7 kg cannabis sativa me përqindje të lartë TCH, e parashikuar për t’u shitur në Tiranë, me vlerën 23 000 euro, shuma parash, celularë dhe automjete të përdorura për këtë veprimtari kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.