Atentati mafioz në Vlorë, gazetari Ferhati zbërthen motivet e mundshme të ngjarjes

Shqipëria

Atentati mafioz në Vlorë, gazetari Ferhati zbërthen motivet e mundshme të ngjarjes

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 19:52
Eni Ferhati.

Mbi 60 plumba kallashnikovi u zbrazën në një atentat mafioz mbrëmjen e së mërkurës në Vlorë ku objektiv ishte Kevin Hajrulla. Si pasojë e breshërisë mbetën të plagosur 30-vjeçari Kevin Hajrulla dhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili ishte tregtar ambulant i fruta-perimeve.

Për të folur lidhur me këtë ngjarje, i ftuar ishte gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati.

Ai tha se të gjithë elementët që kanë shoqëruar ngjarjen, na krijon bindjen se kemi të bëjmë më një atentat të mirëorganizuar nga autorët.

“Nga mënyra e organizimit të ngjarjes apo elementët që e kanë shoqëruar me djegien e automjetit, dy automatikë kallashnikov që janë gjetur në automjetin e vjedhur, është krijuar bindja se kemi të bëjmë më një atentat të mirëorganizuar. Emri në shënjestër të atentatit na çon te një personazh i njohur në Vlorë Ines Hajrulla, i cili i ka shpëtuar dy atentateve në të kaluarën si dhe një emër që lidhet me një proces gjyqësor në SPAK nga ku janë arrestuar personat që kanë siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer vrasjes e tij që nuk u realizua”, tha gazetari.

Sa i përket pistës së mundshme prej së cilës ka ndodhur ngjarja, Ferhati shpjegon se përtej faktit që Kevin Hajrulla nuk është një person me precedent penal në polici, hakmarrjet në të kaluarën mund të jenë një ndër motivet e ngjarjes.

“Nëse do ti referohemi shënjestrës së atentatit, Kevin Hajrullës, ai nuk rezulton të jetë një person me ngarkesa kriminale apo me precedent penal. Ai nuk është se i ruhej një atentati të mundshëm dhe nuk e priste. Sa i përket motiveve kemi të bëjmë dhe më një hakmarrje të mundshme për shkak të ngjarjeve të kaluara apo probleme të ushtrimit të influencës të grupeve kriminale në Vlorë,” shpjegon Eni Ferhati.

Nga ana tjetër ai tha se nga mënyra organizative e atentatit, mund të kishim një bilanc më të rënduar ku në ngjarje të tilla, rrezikojnë persona të pafajshëm si në këtë rast me tregtarin ambulant të fruta-perimeve të plagosur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat