Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Shkodër, buxheti miratohet vetëm me votat e mazhorancës

Shqipëria

Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Shkodër, buxheti miratohet vetëm me votat e mazhorancës

Më: 19 dhjetor 2024 Në ora: 22:29
Pamje nga takimi

Këshilli i bashkisë Shkodër miratoi buxhetin e 2025 vetëm me votat e mazhorancës dhe në një situatë të pazakontë.

Buxheti u miratua mes kundërshtive të anëtarëve të këshillit bashkiak të Shkodrës të cilët shkuan në foltoren e këshillit duke kundërshtuar dhe replikuar.

Mbledhja nisi normalisht. Kryetari i bashkisë Benet Beci prezantoi 3 pika kryesore, projektet e investimeve strategjike për një Shkodër kryeqendër e rajonit, transformimin e Shkodrës me projektet aktuale të realizuara dhe të ardhmes dhe pika e tretë e quajtur bashkia në punë.

Pas fjalës së kryebashkiakut opozita kërkoi fjalën por kryetari i këshillit bashkiak Oltion Luli i dha fjalën drejtores së financave Teuta Haxhi për detajet teknike të buxhetit.

Opozita nuk e lejoi një gjë të tillë duke kërkuar fjalën pas kryebashkiakut. Pas një pushimi disa minutësh mbledhja rinisi por sërish gjatë pushimit nuk u gjet një dakordësi. Anëtarët e opozitës u ngritën pranë foltores duke replikuar me kryetarin e këshillit.

Në këto kushte kreu i këshillit ftoi mazhorancën duke votuar buxhetin e 2025 të bashkisë Shkodër pa asnjë diskutim. Në fund opozita thërriti me ironi “Parti Enver, jemi gati kurdoherë”, duke iu referuar sistemit komunist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat