Shqipëria pritet të kursejë rreth 20 milionë euro në vit nga anëtarësimi në Zonën Evropiane të Pagesave (SEPA). Banka e Shqipërisë ka konfirmuar se bankat dhe institucionet shqiptare të pagesave do të nisin operacionet në këtë sistem më 5 tetor 2025.
Në një mbledhje të zhvilluar këtë muaj mes Bankës së Shqipërisë dhe Komitetit të Sistemit të Pagesave, u prezantuan hapat dhe afatet për zbatimin e SEPA-s në vend. Ndër kriteret kryesore për përfshirjen në këtë skemë janë: posedimi i një licence për ofrimin e shërbimeve të pagesave, aftësia për të përmbushur standardet kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kapacitetet për të zbatuar rregullat teknike të SEPA-s.
Shqipëria u pranua zyrtarisht në këtë zonë më 21 nëntor, duke u bërë një nga vendet e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor, së bashku me Malin e Zi, që i bashkohet kësaj skeme.
Aktualisht, një pagesë nga Shqipëria drejt vendeve të SEPA-s kushton deri në dhjetë herë më shumë se një pagesë brenda zonës, ndërsa përfundimi i një transferimi merr deri në tre ditë pune. Me SEPA-n, paratë do të transferohen brenda 24 orëve, me kosto shumë më të ulët.
Nga ana tjetër, anëtarësimi në SEPA sjell përfitime të shumta për ekonominë shqiptare. Përveç modernizimit dhe sigurisë më të lartë të pagesave elektronike, ky sistem pritet të ketë një ndikim pozitiv në turizëm dhe investimet e huaja direkte, duke i bërë transaksionet financiare më të shpejta dhe më të besueshme.
Një avantazh tjetër është ulja e kostove për transferimin e remitancave, të cilat zënë një pjesë të konsiderueshme në Produktin e Brendshëm Bruto të vendit tonë.
Ekspertët vlerësojnë se hyrja e Shqipërisë në SEPA do të përmirësojë ndjeshëm stabilitetin financiar dhe konkurrueshmërinë e saj në rajon.
SEPA (Zona e Vetme Evropiane e Pagesave) është një iniciativë e Bashkimit Evropian që krijon një zonë të integruar për pagesat elektronike në euro. Në këtë zonë, qytetarët, bizneset dhe institucionet mund të kryejnë transferta bankare ndërkufitare me të njëjtën lehtësi dhe kosto si brenda një vendi.