“Lazarati”/ Gjykata e Lartë kthen për rigjykim dosjen, fati i 5 anëtarëve të grupit të zjarrit në dorë të GJKKO

Shqipëria

“Lazarati”/ Gjykata e Lartë kthen për rigjykim dosjen, fati i 5 anëtarëve të grupit të zjarrit në dorë të GJKKO

Më: 21 dhjetor 2024 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim në GJKKO 5 të pandehurit e akuzuar si pjesë e grupit të zjarrit në Lazarat. Ata akuzohen se kundërshtuan me armë punonjësit e policisë në operacionin e parë në vitin 2014.

Arbjon Aliko, Gurgaz Skënderi, Alfred Proko, Enrik Skënderi dhe Beqo Brahimaj u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda në total me 52 vite burg nga 57 që kërkoi prokuroria, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

Por Gjykata e Lartë, pasi e ka marrë në shqyrtim këtë çështje, ka vendosur ta rikthejë për rigjykim, këtë herë në Gjykatën e Posaçme. Gazetari Ermal Vija raporton se gjykata ka konstatuar shkelje procedurale nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në atë kohë, duke kërkuar rigjykimin e dosjes nga GJKKO.

“Bëhet fjalë për operacionin e parë nga policia gjatë ndërhyrjes në Lazarat, ku disa persona qëlluan në drejtim të punonjësve të policisë në momentet e para të ndërhyrjes. Në atë kohë u arrestuan disa persona, pesë prej të cilëve u dënuan në total me 52 vite burg por avokatët kanë kërkuar pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Gjykata ka konstatuar shkelje në Shkallën e Parë të gjykimit dhe ka vendosur që dosja të rigjykohet. Do të jetë GJKKO që do të rigjykojë edhe njëherë dosjen ndaj të akuzuarve si grup kriminal në kundërshtim të policisë, tentativë vrasjeje dhe vepra penale të kryer në kuadër të grupit kriminal“, raportoi gazetari Ermal Vija.

Dënimet e dhëna ndaj të akuzuarve:

Arbjon Aliko 13 vite burg
Gurgaz Skënderi 11 vite burg
Enrik Skënderi 10 vite burg
Alfred Proko 10 vite burg
Beqo Brahimi 8 vite burg

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat