Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, gjatë fjalës së saj në ditën e dytë të trajnimit të organizuar në bashkëpunim me Leadership Institute dhe FRPD, ku në fokus janë përgatitjet për fushatën zgjedhore të 11 majit 2025, u shpreh se kjo është një mundësi për të rinjtë që të jenë në ballë të betejës elektorale.
“Ky trajnim është një hap i parë drejt krijimit të një ekipi të përgatitur, që do të jetë në terren për të bashkëpunuar me ekipet zgjedhore dhe për të ndërtuar koalicione fituese. Të rinjtë duhet të jenë forca kryesore e ndryshimit dhe suksesi ynë do të varet nga përkushtimi dhe energjia e tyre,” tha Tabaku.
Ajo falënderoi drejtuesit e Leadership Institute, Ron Nehring, një ekspert ndërkombëtar i fushatave zgjedhore dhe ish-këshilltar i senatorit Ted Cruz, si dhe Peter Smallwood, një nga figurat e rëndësishme të Partisë Konservatore Britanike, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre me Partinë Demokratike.
“Ron dhe Peter kanë sjellë një eksperiencë të jashtëzakonshme nga fushatat e suksesshme në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ky bashkëpunim na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët dhe të ndërtojmë një strategji të fortë për fushatën tonë,” shtoi ajo.
Tabaku theksoi rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për Partinë Demokratike, duke përmendur miratimin e rezolutave të IDU dhe EPP si një dëshmi e vlerësimit për vizionin dhe angazhimin e PD-së.
“Kjo mbështetje na frymëzon të punojmë edhe më shumë për një fushatë që mishëron vlerat tona dhe qëndron në shërbim të qytetarëve,” deklaroi ajo.