“Nga 1 janari i vitit të ardhshëm pensionistët do të udhëtonë falas me autobus në të gjitha linjat e transportit publik në Tiranë. Për të marrë këtë shërbim ata duhet të pajisen me abonenë e pensionistit. Përfitues janë gratë në moshën e pensionit mbi 60 vjeç dhe burrat mbi 65 vjeç”.
Natasha Prifti është një nga pensionistët e kryeqytetit që do të përfitojë këtë shërbim falas. 65 vjeçarja e përdor çdo ditë transportin publik.
I duhet të udhëtojë me disa autobusë urbanë dhe kjo i sjell shpenzime.
“Dy linja, unazën dhe porcelanin. Shtëpinë e kam të 21 dhjetori, më duhet të vazhdoj deri te Fresku”.
Natasha ka aplikuar për të marrë abonenë falas në janar, duke ndjekur disa procedura.
“U paraqita te njësia nr 7 ku banoj, dorëzova dokumentin e identifikimit, fotografi.”
Në një nga intererat e saj gjatë ditës nga ushtari i panjohur drejt Freskut, 65 vjeçarja na tregon se lëvizjet me autobus janë shpenzim për të, por është e detyruar për shkak të angazhimeve që ka.
“Unë kam mamane të sëmurë, ka pësuar një frakturë në mes. Jam e detyruar të shkoj t’i sherbej asaj, në drekë shkoj dhe marr nipin në çerdhe. Deri në orën 8 të darkes kur krthehem në shtëpinë time kam këtë aktivitet”.
Linjat e transportit publik i përdor edhe bashkëshorti i saj, gjithashtu pensionist. Sipas Natashës, marrja e këtij shërbimi falas do të ulte disi shpenzimet e tyre.
“Kjo biletë është shpenzim për mua. Jam e kënaqur. I bie 4 bileta në ditë. 1600 lekë. Këto bileta janë një kursim që mund ta shpenzoj për dicka tjetër. Unë kam një pension minimal, im shoq ka një pension mesatar dhe mbulojmë njeri – tjetrin. Na stimulohen shpenzimet sado pak duke marre një shërbim të tillë.”
“Kemi mbërritur në stacionin e fundit. Unë tani do shkoj tek çerdhja të marr djalin, e çoj në shtëpi derisa të vijë vajza, më pas e lë detyrën time dhe kthehem sërish në shtëpi te 21 dhjetori. Pra kështu është rutina ime hip e zbrit nëpër linja.”
Si Natasha, edhe të moshuar të tjerë në kryeqytet kanë nisur tashmë të aplikojnë për të përfituar falas abonenë. Sipas bashkisë së Tiranës janë 177 mijë pensionistë që pritet të përfitojnë nga ky shërbim. Abonetë tërhiqen në pesë pika të autorizuara në kryeqytet.