Gjykata e Lartë ka vendosur në dhomë këshillimi që të prish vendimin e gjykatës së Apelit për krime të rënda për 5 të pandehur për dosjen e Lazaratit. Ata u akuzuan për kundërshtim të punonjësve të policisë gjatë operacioneve të zhvilluara në Qershor të 2014, për asgjësimin e kanabisit në zonën e Lazaratit.
Trupa gjykuese e gjykatës së Lartë, e përbërë nga Vojsava Kola, Margarita Buhali dhe Enton Dhimitri, kanë vendosur që të prishin vendimin e Apelit dhe të rikthej dosjen për rigjykim në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata e Lartë vendosi që dosja të rigjykohet nga e para pasi ka dyshime për shkelje procedurale, por saktësisht cilat janë parregullsitë do të mësohen kur të zbardhet vendimi i arsyetuar.
5 të pandehuri ishin dënuar me 52 vite burg në total. Ata akuzohen se kundërshtuan me armë punonjësit e policisë gjatë kohës kur u zhvillua operacioni për të shpërbërë “Lazaratin” fshati që ishte kthyer në bazë të kanabisit. Gjykata e Krimeve të Rënda i kishte dënuar përkatësisht Arbjon Alikon me 13 vite burg, Gurgaz Skënderi me 11 vite burg, Enrik Skënderi me 10 burg, Alfred Proko me 10 vite burg dhe Beqo Brahimi me 8 vite burg.
5 të pandehurit që do të rigjykohen nga e para, janë të vetmit në mesin e të pandehurve që nuk kanë pranuar të kenë lidhje me kultivimin e drogës në Lazarat dhe goditjen me armë ndaj uniformave blu.
Gjatë operacionit të 2014 policia hasi rezistencës prej orësh tek magazina e Gate Mahmutaj, e cila për nga pozicioni ishte dominant në raport me lëvizjet e policisë, ndërsa një pjesë e grupit u futën edhe në brendësi të fshatit duke zënë pozicione të ndryshme zjarri.
I konsideruar koka organizatore e grupit të zjarrit, Gate Mahmutaj ndërroi jetë në 2021-shin, pas disa vitesh në burg ku kishte marrë dënimin me18 vite.