Rama e përsërit: Ne TikTok-un do ta mbyllim dhe pikë. Mbi 90% e prindërve të anketuar e kërkuan këtë

Shqipëria

Rama e përsërit: Ne TikTok-un do ta mbyllim dhe pikë. Mbi 90% e prindërve të anketuar e kërkuan këtë

Më: 22 dhjetor 2024 Në ora: 09:53
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama sqaroi vendimin për mbylljen e TikTok për një vit në Shqipëri, ndërsa theksoi se mbi 90% e prindërve të anketuar kanë kërkuar mbylljen e aksesit në platformën TikTok.

Duke bërë të ditur vedimin për mbylljen e TikTok, Rama u shpreh se vendimi u nxor nga 1300 takime të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri.

Lajmin për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare, kryeministri e konfirmoi dje në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj TikTok dhe sigurinë e fëmijëve në tërësi.

Rama bëri të ditur se duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit TikTok do të mbyllet plotësisht për të gjithë.

“Ne Tik-Tok do ta mbyllim për një vit. Kini parasysh që në ndërkohë kemi bërë të gjithë hulumtimet tona në aspektin teknologjik dhe do të na duhen 6 deri në 8 javë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm dhe për një vit ne do ta mbyllim plotësisht për të gjithë. Tik-Tok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë!

Pastaj, gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, çfarë do të nxjerrë teknologjia për kufizime, për filtra, etj, etj, si do reagojë vetë TikTok se TikTok është një kompani që rrënjët e veta i ka në Kinë dhe po të shikosh TikTok në Kinë dhe po të shikosh TikTok jashtë Kinës, janë dy Tik-Tok të ndryshëm”, u shpreh dje kryeministri.

Vendimi i Shqipërisë për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare, ka gjetur po ashtu jehonë në shumë medie ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat