Kryeministri Edi Rama ka porositur kompaninë mëmë të rrjetit social kinez se nuk ka nevojë të kërkojë sqarime urgjente mbi vendimin për mbylljen e platformës, duke thënë se për këtë vendos Shqipëria dhe jo pronarët e algoritmit të TikTokut.
Reagimi i Ramës në X erdhi pasi TikTok dje kërkoi sqarime urgjente nga qeveria shqiptare për ndalimin e platformës për të paktën një vit.
“Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”, ka shkruar Rama.
Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, kryeministri Rama uron që TikTok ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo platformë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi”, ka shtuar Rama.
Ai ka përkujtuar se mbi 90 për qind e prindërve kanë kërkuar ndalimin e TikTokut në Shqipëri.
“Dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë: Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku”, ka përfunduar Rama.