Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i është drejtuar për herë të dytë Gjykatës së Posaçme me kërkesën për pushimin e çështjes penale ndaj Selim Çekajt, me argumentin se nuk kanë prova të mjaftueshme për implikimin e tij në trafikun e drogës.
Selim Çekaj u arrestua pasi në kompaninë e tij u zbulua një sasi prej 49 kg kokainë në 31 mars 2021. Droga e gjetur vinte me kontejner bananesh nga Ekuadori.
SPAK ka argumentuar në kërkesën e tij se, pavarësisht hetimeve dhe provave të mbledhura, nuk ka mundur të provohet akuzat për trafik droge ndaj 75-vjeçarit.
Në dëshminë e dhënë në gjyq, 72-vjeçari ka deklaruar: “Nuk kam asnjë lidhje me drogën. Unë kam porositur banane dhe pres banane, nga ta di unë se me çfarë është kontejneri brenda. Nuk e ngarkova unë kontejnerin në Ekuador, përse duhet të kem përgjegjësi unë? Përgjegjësia ime do të ishte, nëse do merrja kontejnerin, do ta fusja në mjediset e kompanisë dhe do nxirja drogën. Unë kontejnerin nuk e kam parë më sy deri në momentin që Policia ushtroi kontrollin. Nuk di çfarë të them, por nuk i pranoj akuzat dhe vetëshpallem i pafajshëm”.
Selim Çekaj është babai i Arbër Çekajt, i cili është i dënuar me 14 vite burg për trafikimin e një sasi rekord prej 613 kilogramë kokainë kolumbiane.
Njoftimi i policisë për kapjen e 49 kg kokainë:
Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “MERSIN”.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Në vijim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikeve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi S. Ç., banues në Sauk, Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Për arsye hetimore nuk jepen detaje të tjera rreth operacionit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.