Kreu i PD, Sali Berisha insiston se nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj u dhunua nga Policia gjatë protestës së opozitës.
Pas vizitës që zhvilloi në spitalin e Traumës, ku Gjekmarkaj po merr kujdes mjekësor, Berisha tha se numri 2 i PD bashkë me shoqëruesin e tij, janë marrë zvarrë nga efektivët.
Sipas tij, dhuna ndaj nënkryetarit demokrat u porosit nga kryeministri Edi Rama.
Berisha: Zoti Gjekmarkaj ka qenë target i urdhëruar nga Edi Rama. Shoqëruesi i tij, punonjës garde, iu ka treguar policëve dokumentin e gardës, që ka detyrë të mbrojë personalitetin, pra shoqëruesi u ka treguar dokumentin, kurse narkobanditët me uniformë e kanë marrë zvarrë edhe shoqëruesin. Akt i paprecedent në 30 vite ndaj një nënkryetari parlamenti.
Por Edi Rama, i cili është në grahmat e regjimit të tij, nuk kontrollon dot urrejtjen dhe frikën. Se në këtë mënyrë vepron vetëm një frikacak, një burracak, një njeri pa asnjë cilësi, ta quajmë në këtë mënyrë pasi ka çdo cilësi të keqe. Zoti Gjekmarkaj po merr ndihmën e parë, është vizituar nga mjekët me përgjegjësi, do qëndrojë sonte në vëzhgim dhe shpresojmë që gjendja e tij të mos përkeqësohet natën, por të përmirësohet dhe të largohet nesër nga spitali.
Zoti Gjekmarkaj është rrethuar në mënyrën më të pakonceptueshme nga 15 narkokomisarë dhe policë. Po si mund të rrethohet një njeri, një deputet, një nënkryetar parlamenti nga 15, dhe pse rrethohet, ata e kanë qëlluar, se pse do humbiste ndjenjat ai?
Kur e panë që humbi ndjenjat, pastaj sigurisht e kuptuan se çfarë bënë. Akti është një krim publik i shëmtuar, i porositur se të rrëmbesh, të marrësh Agron Gjekmarkajn si protestuesin më agresiv, tallesh me veten tënde. Agron Gjekmarkaj ishte njëri nga protestuesit aty. Ishte porosi e Edi Ramës qëndrimi ndaj tij. Kjo është hakmarrje e verbër. Edi Rama është një hakmarrës primitiv, i zhveshur nga çdo normë morale.