Strehimi social, hapet thirrja për të përfituar në të gjitha bashkitë! Ja afati i dorëzimit të dokumenteve të programit

Shqipëria

Strehimi social, hapet thirrja për të përfituar në të gjitha bashkitë! Ja afati i dorëzimit të dokumenteve të programit

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 10:08
Foto ilustrim

Duke nisur nga sot deri më 31 janar, 61 bashkitë në vend duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Ekonomisë projektet e tyre mbi programet sociale të strehimit.

Thirrjen e ka bërë dje ministri Blendi Gonxhe, duke iu kujtuar afatet dhe katër programet që qeveria është e gatshme të mbështesë për strehimin social të qytetarëve që nuk kanë një pronë të tyren, nga banesat sociale te strehëzat e përkohshme.

APLIKIMET

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për aplikime për investime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit-Social 2025- 2026, për 61 bashkitë e vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se projektet e mbështetura përfshijnë: banesa sociale nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese ose ndërtimit të ri; përmirësim i banesave për komunitete të pafavorizuara, përmirësim i infrastrukturës veçanërisht në zona informale dhe streha të përkohshme – përmes blerjes, montimit ose adaptimit të objekteve ekzistuese. Bashkitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Strehimit brenda datës 31 janar 2025.

“Së bashku mund të bëjmë një ndryshim shumë të madh për ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja. Programet aktuale për këtë qëllim janë programet e banesave me kosto të ulët dhe skemat e kredive të përballueshme hipotekare.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se qytetarët mund të aplikojnë “online” nëpërmjet “e-Albania” (gjendet me një kërkim të thjeshtë duke futur fjalën “strehim” në motorin e kërkimit tek ‘eAlbania’) për mbështetje me një nga programet sociale të strehimit ose për njërin nga instrumentet financiare, subvencionimi i qirasë ose subvencionimi i interesave të kredive.

Vitin e kaluar 878 familje gjithsej përfituan përmirësim të kushteve të banimit nëpërmjet 20 projekteve të 20 bashkive të përzgjedhura në vitin 2022 me një vlerë investimi mbi 545 milionë lekësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat