Duke nisur nga sot deri më 31 janar, 61 bashkitë në vend duhet të dorëzojnë pranë Ministrisë së Ekonomisë projektet e tyre mbi programet sociale të strehimit.
Thirrjen e ka bërë dje ministri Blendi Gonxhe, duke iu kujtuar afatet dhe katër programet që qeveria është e gatshme të mbështesë për strehimin social të qytetarëve që nuk kanë një pronë të tyren, nga banesat sociale te strehëzat e përkohshme.
APLIKIMET
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për aplikime për investime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit-Social 2025- 2026, për 61 bashkitë e vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se projektet e mbështetura përfshijnë: banesa sociale nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese ose ndërtimit të ri; përmirësim i banesave për komunitete të pafavorizuara, përmirësim i infrastrukturës veçanërisht në zona informale dhe streha të përkohshme – përmes blerjes, montimit ose adaptimit të objekteve ekzistuese. Bashkitë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Strehimit brenda datës 31 janar 2025.
“Së bashku mund të bëjmë një ndryshim shumë të madh për ata që kanë më shumë nevojë”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja. Programet aktuale për këtë qëllim janë programet e banesave me kosto të ulët dhe skemat e kredive të përballueshme hipotekare.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën të ditur se qytetarët mund të aplikojnë “online” nëpërmjet “e-Albania” (gjendet me një kërkim të thjeshtë duke futur fjalën “strehim” në motorin e kërkimit tek ‘eAlbania’) për mbështetje me një nga programet sociale të strehimit ose për njërin nga instrumentet financiare, subvencionimi i qirasë ose subvencionimi i interesave të kredive.
Vitin e kaluar 878 familje gjithsej përfituan përmirësim të kushteve të banimit nëpërmjet 20 projekteve të 20 bashkive të përzgjedhura në vitin 2022 me një vlerë investimi mbi 545 milionë lekësh.