Gjykata e Apelit ka zbardhur vendimin në të cilin ricilësohet akuza ndaj Arbër Paplekaj, që u gjet fajtor dhe u dënua me shtatë vite burgim për vrasjen në rrethana të tronditjes së fortë psikike në dëm të Pjerin Xhuvanit.
Gjykata thotë se në vendngjarje atë ditë në Elbasan ishin edhe dy qitës të tjerë të cilët rezultojnë se kanë qëlluar dhe janë ende të paidentifikuar nga prokuroria e Elbasanit.
Gjatë rikualifikimit të akuzës ndaj Paplekaj Gjykata shton në këtë verdikt se bazuar në ekspertimin e kryer njëri nga qitësit e paidetnifikuar ka qenë në një distancë të afërt jo më tepër se një metër me viktimën Xhuvani.
Për gjykatën e cila ka përshkruar edhe njëherë skenën e shkëmbimit të armëve të zjarrit në 21 prill 2021, ngjarje e ndodhur katër ditë para zgjedhjeve parlamentare, përgjigjet e ekspertëve janë në harmoni me dëshmitë dhe pamjet filmike.
Provohet thotë gjykata se Paplekaj dhe Pjerin Xhuvani kanë qenë në distancë të afërt me njëri tjetrin dhe jo më tepër se katër metra, ashtu siç provohet se në afërsi të Paplekaj ndodhej shoku i tij Pavlo Vuksani i cili mbeti i plagosur nga pas kokës gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Gjykata thotë se provohet se fillimisht është qëlluar me armë zjarri nga grupi i personave që kanë sulmuar Paplekaj, në krye të të cilëve ishte viktima Xhuvani. Për Gjykatën e shtëna e parë ka ardhur nga njëri prej dy qitësve që gjendej në krah të viktimës.
Gjykata thekson se Paplekaj ka qenë në kushtet e tronditjes psikike e cila është shkaktuar nga fyerja dhe dhuna dhe se gjatë kësaj gjendjeje autori nuk e ka patur kontroll mbi veprimet e tij pasi vetëdija i është errësuar. Po ashtu Apeli shton se ai ka qëlluar për shkak të pasigurisë për jetën.
Gjykata shton se nuk ka prova për të dënuar efektivët për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Gjykata thotë se ndryshe nga prokuroria nuk provohet nga hetimi që Paplekaj të jetë autor i plagosjes Eltjon Bodinaku dhe Emilian Prenga, ndërkohë që për plagosjen e efektives Xhensila Sota shkruan “ plagosja e lehtë e punonjëses në këmbë është tregues se i pandehuri nuk ka patur qëllim apo dashje ta qëllojë, por se plagosja e saj ka ardhur nga pakujdesia”.