Një ditë pas protestës së opozitës që bllokuan 5 akse kryesore në Tiranë, policia arrestoi 7 protestues dhe 61 të tjerë i procedoi penalisht në gjendje të lirë, mes të cilëve edhe 40 deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike.
Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash dhe vepra penale, si ajo e “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrave të punonjësit të policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.
Shtatë protestuesit e arrestuar pritet të dalin para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Përveç arrestimit të tyre, policia e Tiranës procedoi në gjendje të lirë po për të njëjtat akuzoa 40 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Republikane dhe të Partisë së Lirisë, si dhe 21 qytetarë.
Mes deputetëve të proceduar janë Flamur Noka, Xhelal Mziu, Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit, nënkryetar i Kuvendit, njëherazi dhe drejtues politik i qarkut Lezhë, i pozicionuar në zonën e njohur si pallati me shigjeta, gjatë përplasjes me policinë, humbi ndjenjat dhe u dërgua në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Përfaqësues të opozitës hodhën akuza të rënda teksa pohuan se Gjekmarkaj u dhunua nga policia, ndërsa vetë policia mohoi diçka të tillë.