“Thuhet lart e poshtë ‘ai fiton se opozita është e dobët’”, Rama: Është një gënjeshtër e madhe, ka një arsye kryesore për fitoret e mia…

Shqipëria

“Thuhet lart e poshtë ‘ai fiton se opozita është e dobët’”, Rama: Është një gënjeshtër e madhe, ka një arsye kryesore për fitoret e mia…

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 18:51
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik.

Rama: Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet lart e poshtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”. Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi!

Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes.

Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them!

Për rrjedhojë, më lini të falënderoj sonte këtu edhe opozitën më të fortë dhe më lini t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, edhe në emër të saj, që jeni këtu me ne në këtë mbrëmje të këndshme të përvitshme.

Ju falemnderit dhe, nëse mund të marr gotën, dua të ngre një dolli para së gjithash për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për prindërit tuaj e bashkëshortet/bashkëshortët, të cilët, siç e di dhe unë bashkë me ju, janë ata që paguajnë çmimin më të lartë për të gjithë punën tuaj larg vendit tuaj, edhe pse, shumë shpesh, me sa kam kuptuar, ju pëlqen të rrinë në Shqipëri edhe më shumë sesa në vendin e tyre! Madje është e sigurt që do t’ju marrin shumë inat kur t’i detyroni të shkojnë diku tjetër. Po kjo mbetet për vitet e ardhshme, për momentin, jeni të gjithë këtu, në Shqipëri bashkë me ta dhe mund të mikprisni këtu edhe të afërmit që nuk jetojnë me ju. E pra, Zoti i bekoftë ata të gjithë!

Uroj që familjet tuaja të jenë sa më mirë dhe që ju, falë mbështetjes së tyre, të shkëlqeni dhe, pse jo, të na ndihmoni të ecim më mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat