Rama në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik: Shqipëria ka vetëm një plan A, të bëhet pjesë e BE

Shqipëria

Rama në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik: Shqipëria ka vetëm një plan A, të bëhet pjesë e BE

Më: 24 dhjetor 2024 Në ora: 18:56
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në darkën tradicionale të fundvitit me trupin diplomatik.  Rama tha se Shqipëria ka vetëm një plan A, që të jetë pjesë e BE-së brenda dekadës.

“Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama në darkën tradicionale të fundvitit me Trupin Diplomatik të akredituar në Shqipëri:

Shkëlqesitë Tuaja dhe të dashur miq,

Jemi mbledhur këtu sonte në këtë mbrëmje të përvitshme, për të ndarë bukën bashkë, ndërsa po i vjen fundi një viti të mbushur si me sfida dhe me mundësi, e një tjetër vit po afrohet shpejt.

Gjithnjë, në këto raste, ndihem paksa i pezmatuar kur shoh mungesën e fytyrave të njohura, miq të mirë të këtij vendi, të cilëve iu është dashur të fluturojnë drejt destinacioneve të tjera. E di që të gjithë ata i merr malli për Shqipërinë dhe kohën aspak monotone që kanë kaluar këtu.

U përcjell urimet e mia më të përzemërta dhe kërkoj që kur të keni mundësinë, nëse e keni mundësinë, t’ua thoni që kanë respektin dhe mirënjohjen tonë të përhershme.

Ndërkohë, iu uroj një mirëseardhje të ngrohtë të rinjve në këtë tryezë. Jam i bindur se që tani ndihen si në shtëpi, s’është e nevojshme të inkurajohen më tej.

Ndërsa i qasemi një viti të ri zgjedhor, jam i sigurt që pyetjet për zgjedhjet e përgjithshme që po vijnë, do te zene shpejt vend në shkresat e raportet tuaja. Besoj, kam një ide mjaft të mirë se kush do të dalë fitues, por, përtej shakave, mund t’ju siguroj se, pavarësisht se për kë palë politike do të votojnë shqiptarët, ata që të gjithë do të vendosin t’u qëndrojnë vlerave dhe parimeve të komunitetit euroatlantik, të nxisin arritjen e objektivit historik për t’u bërë anëtarë të mirë e krenarë të familjes së bashkuar evropiane, të mbështetin liritë individuale, shtetin e së drejtës dhe demokracinë.

Këto janë zotime të panegociueshme që shkojnë përtej moshës, gjinisë, krahinës apo bindjes politike të shqiptarëve. Shqipëria nuk ka plan B, por vetëm një plan të padevijueshëm e të padiskutueshëm, atë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Brenda kësaj dekade, do të japim gjithçka kemi, që kjo të bëhet realitet.

Sidoqoftë, është afërmendsh që duam të jemi miq, miq të mirë e besnikë, me të gjithë të tjerët rreth kësaj tryeze, të cilët jetojnë, punojnë e rrisin mirëqenien matanë kufijve të Europës demokratike, si për shembull vendet vëllazërore të Gjirit, sistemi politik i të cilave është ndryshe nga i yni, por me të cilat kemi një lidhje të fortë dhe shpresoj e lutem që të bëhet edhe më e fortë.

Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj!

Shpresoj po ashtu me shpirt që viti i ri të sjellë paqen midis Izraelit dhe Palestinës, që do t’i japë fund vuajtjes se pambarimte të popullit në Gaza e po ashtu kalvarit tronditës të pengjeve që ende mbahen të burgosur në errësirën e bodrumeve mesjetare të Hamasit. Shqipëria beson në mënyrë të palëkundur në zgjidhjen me dy shtete, por më lejoni të jem i qartë, asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk është e mundur sa kohë Hamasi është pjesë e tablosë. Të presësh paqe nën influencën e tyre do të ishte po aq naive sa të përpiqeshe të ndërtoje Europën e pas Luftës së Dytë Botërore përkrah batalioneve të SS-ve.

Ne kremtojmë aleancën dhe miqësinë tonë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Uroj që viti i ri, i cili vjen pas fushatës më të gjatë e më të nxehtë në historinë e tyre të jashtëzakonshme të betejave demokratike dhe me një President të ri në Shtëpinë e Bardhë, të sjellë mundësi te reja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve tona.

Ky ka qenë një vit shënjues për Shqipërinë. Kur kthej kokën pas, më kujtohet takimi im i parë me paraardhësit e paraardhësve tuaj, një dekadë më parë. Asokohe, objektivi ynë kryesor ishte thjesht të siguronim statusin e vendit kandidat në BE dhe të fillonim të ndreqnim imazhin e copëtuar të Shqipërisë në botë. Sot, kontrasti është marramendës. Duket sikur kam jetuar në dy botë krejt të ndryshme. Ka qenë më e vështirë nga ç’mund të thuhet me fjalë, por ia ka vlejtur të luftosh për të gjitha ato që kemi bërë realitet përgjatë këtyre viteve.

Urojmë që viti i ri të bëjë të fluturojmë sërish, pa asnjë vonesë, për hapjen e të tjerë grupkapitujsh, për t’iu përmbajtur objektivit shumë ambicioz që kemi vendosur bashkë me Komisionin e BE-së për t’i mbyllur bisedimet në fund të vitit 2027.

E di shumë mirë që askush nuk do të na e bëjë të lehtë. Çdo centimetër që bëjmë përpara do të kërkojë përpjekje edhe më të mëdha, por dua që ta dini të gjithë se kjo është pikërisht ajo që duam, pa asnjë iluzion e asnjë pishman. Na takon neve ta marrim vendin e Shqipërisë në Europë, jo juve të na e dhuroni. Është detyra jonë dhe vetëm e jona të ndezim yllin e verdhë të Shqipërisë në qiellin blu të Bashkimit Europian.

Këtë mësim të marrë deri në lëkurë e çmojmë thellë, sidomos, falë disa kryeqyteteve të BE-së që kishin dyshime se kush ishim. Të gjithë e keni dëgjuar shprehjen: “Ambasadori është një njeri i ndershëm të cilit i duhet të gënjejë për hir të vendit të tij”. Më kujtohet sëkëlldia i disa prej paraardhësve tuaj, të cilëve u duhej t’i justifikonin në mënyrë të vazhdueshme vetot e vonesat që na imponuan, pas rekomandimeve të Komisionit për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë. Për ta thënë butë, nuk qe e lehtë, por ishte një e përpjetë jashtë mase e vlefshme për të mësuar dhe, po aq, një burim zemërimi motivues për t’iu vërtetuar atyre kryeqyteteve se e kishin gabim.

Nuk jam i sigurt në do t’ia kishim dalë të mbërrinim në nivelin e detyrës finale, aq sa ia dolëm, nëse nuk do të kish qenë kështu. Ndaj, e kuptoni që falënderimet e mëhershme qenë të sinqerta – dhe e kam me të vërtetë – ashtu siç nuk do të kish mundur të ishin më të sinqerta miqësitë e veçanta që u ndërtuan, pikërisht, falë këtij rrugëtimi dëshpërues, si fjala vjen midis meje dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, një njeri me sinqeritet liberal, me ashpërsi holandeze dhe me kryeministërllëk të gjatë.

Ajo fazë ka përfunduar, por betejat tona për të hyrë në BE janë larg mbarimit. Megjithatë, Silvio dhe gjithë kolegët e tij nga këto kryeqytete të veçanta, përfshi Konstandinën e admirueshme, nuk kanë më pse justifikojnë asgjë që të na e bëjnë më të lehtë të dëgjojmë pjesët e vështira të këtij rrugëtimi. Ne i kuptojmë dhe i pranojmë ato si sfida për të bërë më shumë e më mirë.

Pra, thelbi është që, këtu në Shqipëri, ju jeni ambasadorët më me fat mbi tokë, siç do të thoshte qeraxhiu i ri i Shtëpisë së Bardhë, sepse nuk ju duhet të merrni mundimin të gënjeni për hir të kryeqyteteve tuaja.

Të nderuar shkëlqesi,

Më lejoni që sonte t’iu përcjell urimet më të veçanta për një Vit të Ri të shkëlqyer gjithë kolegëve tuaj nga Ballkani Perëndimor dhe më lini të shpreh bindjen se fati i këtij rajoni në këto kohë është në duart tona, si kurrë më parë. Duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se mundësit e sotme nuk janë të mirëqena dhe duhet të punojmë të gjithë së bashku që ato të mos zhduken, por të marrim maksimumin prej tyre.

Po, sigurisht, nuk biem dakord për çdo gjë dhe kjo është normale. Madje, e kundërta e kësaj mund të ishte shqetësuese për një rajon, ku jo shumë kohë më parë as nuk uleshim bashkë jo që prej vitesh, po do guxoja të thoja prej dekadash. Ky është momenti ynë dhe është përgjegjësia jonë për të mos ta shkatërruar, por për të ndërtuar mbi të duke shfrytëzuar çdo hapësirë dhe çdo mundësi për ta shtrirë tregun tonë më larg dhe për t’i sjellë qytetarët tanë më afër. Shqipëria do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për integrimin duke nxitur paqen dhe duke bashkëpunuar përmes dialogut me këdo.

Një mjeshtër i famshem i politikës dhe diplomacisë, që ju të gjithë e njihni mirë, kardinali Risheljë, tha dikur se diplomacia është një shkencë që nuk resht kurrë së qeni art. Si artist, do thosha se kufiri midis artit të madh e atij mediokër përcaktohet nga dallime të vogla, shpesh shumë të holla. Nga fjalët e kardinalit, theksoj nevojën për të vepruar me madhështi kur bëhet fjalë për detajet e vogla, që, në fund të fundit, mund të përbëjnë dallimin e madh midis së mirës, së keqes dhe të shëmtuarës në marrëdhëniet tona rajonale historikisht të ndërlikuara; mund të  na çojnë përpara apo të na kthejnë pas sa hap e mbyll sytë.

Dua tani t’ju drejtohem si miq të dashur të Shqipërisë, të cilëve iu drejtohem me këtë fjalë të përvitshme në praninë e bashkëshortes dhe anëtarëve të kabinetit tim.

Thuhen vërdallë lloj-soj gjërash për qeverinë time, po, edhe pse jam shumë më tepër kritik me veten sesa dukem dhe e di që kjo nuk është aq e vështirë, jam po kështu krenar për gjithë punën që kam bërë me këta njerëz këtu.

Ky vit i tejkaloi pritshmëritë në nisje të tij dhe mund të themi se, së fundi, Shqipëria ka hyrë në fazën e grupeve të ligës botërore të turizmit, por ka hyrë për të qëndruar dhe për të ecur më tej.

Viti i ri do të fillojë me borxhin më të ulët publik, që kur kemi marrë detyrën dhe me parashikimin më të lartë të të ardhurave. Monedha jonë s’ka qenë kurrë më e fortë, inflacioni është në nivele normale dhe vëllimi më i madh i investimeve private që kemi pasur ndonjëherë, vendase dhe të huaja, është gati të hyjë në ekonominë e vendit ose në listën më të gjatë ndonjëherë. Paga mesatare e sektorit publik është afër nivelit tavan prej 1 000 eurosh dhe hendeku i pagave midis sektorit publik dhe privat po mbyllet më shpejt sesa parashikohej.

Ndërkohë, për herë të parë në historinë demokratike të vendit tonë, papunësia po shkon në prag të një niveli njëshifror dhe vitin që vjen, Shqipëria do të mirëpresë Komunitetin Politik Europian, një ngjarje e madhe, e jashtëzakonshme ndërkombëtare, që flet sa një mijë fjalë për imazhin e transformuar të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.

Kam edhe shumë më shumë për të thënë për vitin që po lëmë pas dhe ju e dini të gjithë, jam i sigurt, që jam më i miri për t’i zgjatur fjalimet deri në dhimbje… roli ynë, si anëtar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pjesëmarrja jonë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, forcat tona të përbashkëta në fronte të ndryshme, moria e marrëveshjeve tona dypalëshe dhe, sërish, përparimi ynë i mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e të tjera, të tjera, të tjera…

Po mos u shqetësoni, mund t’i përmbledh të gjitha shkurtimisht me një fjalë të vetme: Përkushtim! Përkushtim absolut ndaj vendit tonë, ndaj qytetarëve tanë, ndaj miqve dhe partnerëve tanë.

Më lejoni ta mbyll me diçka të veçantë që thuhet larteposhtë: “Ai fiton, se opozita është e dobët”.

Më lini t’ju them se kjo është një gjysmë e vërtetë, pra një gënjeshtër e madhe, sepse, si burrë, isha i bekuar kur Linda ra dakord të martohej me mua. E si një rrjedhojë e paqëllimtë e këtij bekimi, ndodhi që u bëra Kryeministër me të në krah, që do të thotë, me opozitën më të ashpër. Në shtëpi!

Pa britma, pa sharje, pa shpifje, të cilat, në fund të fundit, i përballon lehtë, por me pyetje të vështira e me argumente të forta për t’u rrëzuar dhe, meqë ra fjala, ose natën vonë, ose herët në mëngjes.

Pra, nëse ka një arsye kryesore për fitoret e mia, është se jam jo vetëm i stërvitur mirë, por edhe në mënyrë të pandërprerë me opozitën më të ashpër dhe më të mirëpërgatitur. Merreni kështu siç po ua them, mund të jetë edhe më keq sesa kaq sa po them!

Për rrjedhojë, më lini të falënderoj sonte këtu edhe opozitën më të fortë dhe më lini t’ju falënderoj të gjithëve nga zemra, edhe në emër të saj, që jeni këtu me ne në këtë mbrëmje të këndshme të përvitshme.

Ju falemnderit dhe, nëse mund të marr gotën, dua të ngre një dolli para së gjithash për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për prindërit tuaj e bashkëshortet/bashkëshortët, të cilët, siç e di dhe unë bashkë me ju, janë ata që paguajnë çmimin më të lartë për të gjithë punën tuaj larg vendit tuaj, edhe pse, shumë shpesh, me sa kam kuptuar, ju pëlqen të rrinë në Shqipëri edhe më shumë sesa në vendin e tyre! Madje është e sigurt që do t’ju marrin shumë inat kur t’i detyroni të shkojnë diku tjetër. Po kjo mbetet për vitet e ardhshme, për momentin, jeni të gjithë këtu, në Shqipëri bashkë me ta dhe mund të mikprisni këtu edhe të afërmit që nuk jetojnë me ju. E pra, Zoti i bekoftë ata të gjithë!

Uroj që familjet tuaja të jenë sa më mirë dhe që ju, falë mbështetjes së tyre, të shkëlqeni dhe, pse jo, të na ndihmoni të ecim më mirë.

Faleminderit shumë.

Gëzuar! Dhe gëzuar Vitin e Ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat