I plagosuri Arsen Beqiri është arrestuar nga policia pasi dha kallëzim të rremë në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Skanderbeg” të Shkodrës.
24-vjeçari gjatë veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes nuk dha deklarime të plota në lidhje me rrethanat dhe autorin e plagosjes së tij në këmbë me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve Policia ka shpallur në kërkim autorin, shokun e 24-vjeçarit E. Sh., 22 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, i cili dyshohet se ka plagosur nga pakujdesia Arsen Beqirin.
Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti banal mes dy të rinjve dhe pasi janë përplasur me njëri tjetrin, autori ka nxjerrë armën duke e qëlluar në këmbë Beqirin.
Ky i fundit është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore teksa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.