Ish-ministri socialist, Arben Malaj deklaroi një ditë më parë në një status të gjatë në rrjetet sociale se ishte ftuar nga Agron Shehaj për të aderuar në partinë e tij, “Mundësia”. Malaj shpjegonte, sipas tij, 8 arsyet pse nuk e kishte pranuar ofertën.
Por sot, kreu i “Mundësia”, Agron Shehaj përmes një reagimi ka përgënjeshtruar Malajn, duke theksuar se nuk është ofruar asnjë post në radhët e forcës politike që ai kryeson. Ftesa që mund të ketë marrë Malaj, sqaron ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj, mund të ketë qenë një mesazh apo telefonatë, një strategji kjo në funksion të një fushate të hapur publike që Mundësia po bën, sipas tij, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit politik.
“Fushatat e hapura dhe ftesat publike për të dhënë kontribut janë një model i hapur e perëndimor po mesa duket z.Malaj nxitoi duke e cilësuar ftesën publike si ofiq partiak”, thekson Shehaj.
Reagimi
Partia Mundësia përgënjeshtron shkrimin e ish ministrit socialist Arben Malaj pasi në asnjë rast nuk i është ofruar post në radhët tona. Partia Mundësia ka nisur një fushatë të hapur publike duke kontaktuar miliona shqiptarë përmes rrjeteve sociale, telefonatave, SMS-ve duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit politik.
Fushatat e hapura dhe ftesat publike për të dhënë kontribut janë një model i hapur e perëndimor por që mesa duket z Malaj nxitoi duke e cilësuar ftesën publike si ofiq partiak.
Ky model i hapur politik na dallon prej të tjerëve dhe falenderojmë mijëra shqiptarët që janë bashkuar për opozitë të vërtetë si dhe stafin e Partisë Mundësia që po bën një punë të jashtëzakonshme për të kontakuar këdo që identifikohet me vlerat e djathta dhe dëshiron të jetë pjesë e këtij projekti politik afatgjatë.