Ekonomia shqiptare u rrit 4% në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa konsumi final i popullatës ra me 2.3%, krahasuar me tremujorin e dytë.
Tkurrja e import eksporteve tregon se në vendin tonë oferta për mallra ka qenë më e vogël se një vit më parë, ndërsa turistët e huaj, vetëm sa kanë zëvendësuar banorët vendas, të cilët gjatë verës kanë pushuar jashtë. Po ashtu, edhe çmimet e rritura ne sezonin turistik, ndikuan ne uljen e shpenzimeve.
INSTAT raporton deri në muajin shtator, por gjasat janë që edhe periudha e fundvitit të sjellë sinjale të ngjashme të uljes së konsumit, nisur edhe nga mesazhet që japin qytetarët për çmimet e rritura të produkteve.
Në muajin nëntor inflacioni u rrit, krahasuar me tetorin dhe parashikimet afatshkurtra të Bankës së Shqipërisë nxjerrin se qytetarët kanë më tepër prirje për kursim.
Tek ulja e konsumit në popullatë, faktor është edhe emigrimi, i cili ende po dominon në raport me migrimin.