Pëllumb Çelmeta prej vitesh merret me mbarështimin e gjelave të detit në qytetin e Peqinit. Kujdesi për to gjatë gjithë vitit, shpërblehet gjatë festave të fundvitit, pasi gjeli i detit është traditë e gatimit për natën e ndërrimit të viteve.
Por 74-vjeçari tregon se kur vjen koha për shitje, tregtarët fusin produkte të jashtme duke dëmtuar fermerët që i dedikohen këtij biznesi për më shumë se 300 ditë.
“Ne na shkon për shtat zonës së Peqinit, se është klima ushqimi këto ndikojnë të gjitha. Ne kemi vetem një shqetesim në zonën tonë. Hyrjet që na vijnë nga jashtë, këto vijnë e spekulojnë zonën tonë dhe çfarë bëjnë përfitojnë dhe thonë se janë gjela Peqini. Ai ul tregun, ul çmimin prish tregun, dhe tjetri është i pakënaqur sepse nuk ja marrë gjel Peqini”, thotë fermeri.
Pëllumbi tregon edhe specifikat e ushqimit të zonës që perdoret për të rritur gjelat, të cilët njihen për shijen e veçantë.
“Kultura e ullirit, e shikon ti kur bie kokrra e ullirit poshtë ata e hanë. Ne tani që kanë dalë fabrika i marrim bërsinë e përziejmë me këto e del një koncentratë e mrekullueshme. Ka shije me tepër sidomos nga ulliri, por edhe koncentrati se nuk marrim kancentrat nga Serbia, ai far mielli që bie ai, duke e krahasuar me misrin që bejmë vete”, tregon ai.
Aktualisht ne Peqin gjeli i detit nga fermeret po tregtohet me 1 mijë lekë për kilogram dhe kërkesa për blerje është e lartë nga të gjjthë qytetet e vendit.