Avokatët e kryebashkakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe familjes së tij, kanë publikuar disa nga argumentet e tyre të mbrojtjes, pas dëshmisë prej 5 orësh para prokuroreve të SPAK, por edhe për njoftimin e akuzave të reja ndaj tij për disa vepra.
Veliaj sipas SPAK eshte nen hetim per korrupsion pasiv pas denoncimit te bere nga nje shtetas me iniciale N.A. Nga ana tjeter, avokatët e Erion Veliajt dhe familjes se tij, theksojnë se hetimet janë dashakeqe, të qëllimshme ndaj kryebashkiakut dhe në kundërshtim me ligjin.
“Hetime keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin! Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm! Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor. Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj. Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit”, thuhet në argumentet e avokatëve.
Pala mbrojtëse i mëshon faktit se hetimet janë bërë në tejkalim të afateve, ndërkohë që janë intimiduar personat e thirrur me statusin e “personit që ka dijeni”.
“Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”.
Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa.
Edhe pse Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës. Tejkalimi i afateve hetimore! Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë”, thuhet në disa nga argumentet e mbrojtjes.
Ndërkohë që sipas avokatëve të Veliajt, kontrollet e ushtruara nga SPAK apo sekuestrimi i telefonit është bërë pa një mandat nga gjykata.
“Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar”, shprehen avokatet e familjes Veliaj
Argumentet e Plota të avokatëve Mbrojtës së familjes së Erion Veliajt:
Hetim keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin
Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj.
Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit.
Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të Erion Veliajt dhe familjes
Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj Erion Veliaj (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status.
Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar.
Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa
Edhe pse Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës.
Tejkalimi i afateve hetimore
Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë.
“Fishing expedition”
Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (Erion Veliaj), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
Dalja në media e informacioneve mbi hetimin
Informacione të ndryshme lidhur me hetimin janë transmetuar në media, duke krijuar hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese ndaj figurës së kryetarit të bashkisë. Kjo ka nxitur një perceptim publik të fajësisë së Erion Veliajt, duke dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke cenuar barazinë e palëve në proces.
Një veprim i tillë mund të përbëjë shkelje të rënda, qoftë përmes dashjes apo neglizhencës, pasi përbën keqadministrim të hetimit dhe dëmton integritetin e procedurës penale.