Qytetarët në Vlorë ankohen për çmimet e ushqimeve, shitësit: Ka rënë fuqia blerëse

Shqipëria

Qytetarët në Vlorë ankohen për çmimet e ushqimeve, shitësit: Ka rënë fuqia blerëse

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Qytetarët në Vlorë kanë nisur blerjet e ushqimeve për darkën e fundvitit. Sipas tyre çmimet në tregje janë të larta e për këtë arsye nuk i përballojnë dot. Shumica e familjeve e kanë të pamundur të plotësojnë dëshirat për tryezën e festave për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.

“Duhet të hapet një dyqan vetëm për pensionistët, me emrin “Tregtojmë për pensionistët”. Për pensionistët është shumë keq, janë shumë të larta çmimet, është turp, shumë turp! Është e vështirë me 150 mijë lekë, nuk i dilet dot; paguaj dritat, ujin, është e vështirë jeta”, është shprehur një pensioniste.

Një tjetër i moshuar ndan mendimin se çmimet janë të papërballueshme për pensionistët.

“Si për pensionistët ishin çmimet, skandaloze! Sigurisht që janë të papërballueshme, me se do ti marrim. Të na rrojë fëmija, na gënjejnë me ato 150 mijë lekë, kjo ishte gënjeshtër, mashtrim.”

Qytetari i rradhës tha se me pensionin që merr, nuk di se çfarë blerjesh të bëjë.

“Çmimet në qiell, xhaxhai! 90 mijë lekë merr pension, çfarë do bëj me këto? Ja gjeje ti! Më keq, çfarë do shtroj? Qepë e hurdhra.”

Një i moshuar, fatkeqësisht i sheh si diçka normale tashmë çmimet dhe se kshu ndodhë çdo vit.

“Viti i Ri, kështu është çdo vit, normale që e shfrytëzojnë, pse jo? Ne jemi këtu në treg çdo ditë dhe i shohim.”

Blerësit ankohen për çmimet ndërsa tregtarët thonë se as për festa nuk kanë shitur. Sipas tyre fuqia blerëse ka rënë pasi qytetarët nuk kanë mundësi për të shpenzuar.

“Punë, ca punë. Ia kam bërë 1000 xhiro, i varfër shumë këtë radhë, po prishet i gjithë malli, do e hedhim poshtë. Çmimet mirë, po s’ka lekë, kanë ikur të gjithë, fëmijët kanë ngelur vetëm pleqtë. Ja shiko, rruga bosh, është Viti i Ri, duhet të kishte njerëz plot. Blejnë portokalle, mandarinë, këto mollë në vend. Keq si këtë vit nuk ka qenë asnjëherë kështu. Kam 40 vite këtu, si ky vit nuk kam parë. Ja kanë ngelur vetëm pleqtë, vijnë me 20 lekë, thonë se “s’kemi”, tha tregtari.

Shumë familje vlonjate përfitojnë të ardhura minimale, duke bërë që të mos festojnë me tryeza të mbushura siç do të dëshironin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat