Në Tiranë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se Shqipëria ka bërë këtë vit hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, dhe synon të hapë vitin e ardhshëm të gjithë grup-kapitujt në negociatat për anëtarësim. Shqipëria synon që deri në vitin 2027 të mbyllë gjithë negociatat dhe të jetë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Drejtuesi i diplomacisë shqiptare deklaroi se gjatë këtij viti u rritën angazhimet e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale, si dhe janë mbrojtur më mirë interesat e shqiptarëve kudo në botë.
Për diplomacinë dhe administratën publike të Shqipërisë viti i ardhshëm pritet të jetë një periudhë e ngjeshur pune sa i takon procesit të inegrimit të Bashkimin Europian.
Brenda dy muajve të fundit në tetor dhe dhjetor, SHqipëria dhe BE-ja mbajtën konferencën e dytë dhe të tretë ndërqeveritare, ku u hapën grup-kapitulli i parë i negociatave, të njohura si “Themeloret”, dhe grup-kapitulli i gjashtë mbi “Marrëdhëniet me jashtë”.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha sot se këto hapa shënuan një impuls të ri, një fazë të re dhe të rëndësishme në procesin e anëtarësimit.
“Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2025 synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim grup-kapitullin e gjashtë, ndërsa deri në fund të vitit 2027, planifikojmë të mbyllim të gjitha negociatat dhe të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz, dhe diplomacia do të luajë një rol kyç në realizimin e tij, me komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së”, tha zoti Hasani.
Për të arritur këtë objektiv të integrimit Shqipëria po punon sa në aspektin teknik aq edhe në atë politik për të plotësuar një nga një kriteret dhe për të shmangur pengesat e procesit.
I pyetur për ndikimin që mund të sjellë Presidenti i zgjedhur Donald Trump në politikat amerikane mbi Ballkanin, ministri Hasani tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë shumë të rëndësishme.
“Për ne gjithashtu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme. Ne vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të kemi angazhimin që kemi patur, shkëmbimin e ideve dhe mendimeve me kolegët në Uashington pa dallime për sa i përket angazhimit të tyre të brendshëm politik”, tha zoti Hasani.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm tha se ndërkohë Shqipëria ka forcuar pozitën e saj si faktor qëndrueshmërie në rajon, ka forcuar marrëdhëniet me fqinjët edhe për sa u takon infrastrukturës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa Kosova mbetet një përparësi kombëtare.
Ai theksoi se Shqipëria është e angazhuar për mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke mbështetur fuqishëm Ukrainën dhe sovranitetin e saj, duke dënuar agresionin rus, ndërsa nga ana tjetër ka mbajtur një qëndrim të qartë pro Izraelit, ka dënuar sulmet terroriste të Hamasit, duke theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore dhe humanitare për Gaza, si dhe mbetet e angazhuar në kuadër të NATO-s, si anëtare e kësaj aleance.
“Ky vit ka shënuar 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria mbetet e angazhuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ka mirëpritur angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një shembull i investimeve të Aleancës në Shqipëri, duke siguruar stabilitet për rajonin”, tha ministri Hasani.
Shqipëria po i kushton më shumë rëndësi tani mbështetjes së diasporës, të drejtave dhe shërbimeve për të, me besimin se ajo po merr përherë e më shumë një rol me rëndësi në zhvillimin ekonomik të vendit, krahas diplomacisë ekonomike, që zhvillon vet trupa diplomatike e saj.
Figura të njohura nga diaspora mendohet që, pas disa ndryshimeve në ligjin për shërbimin diplomatik, të përfshihen për të dhënë ndihmesë të drejtpërdrejtë në diplomacinë shqiptare, veçanërisht ata që kanë punuar dhe kanë përvojë nga puna në organizmat ndërkombëtare./VOA