Ervin Salianji ka shkruar një tjetër letër nga qelia nr.6 ku ai po qëndron tashmë prej disa muajsh, ku i drejtohet me një mesazh të gjithë emigrantëve të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit.
Ervin Salianji: Letër nga qelia nr.6 një emigranti, për zarfin më të rëndësishëm të 30 viteve!
930 milionë euro ishin remitancat e vitit 2023, të fundit të llogaritura nga Banka e Shqipërisë. 930 milionë euro që emigrantët, bashkëatdhetarët i kanë dërguar për të afërmit, familjet e tyre. Një shifër rekord kjo.
Jam i bindur se nuk është vetëm shuma që bën diferencën, por sidomos eficensa me të cilën ato hyjnë në ekonomi, e bën këtë një nga fondet më të vyera, një prej kontributeve më te rëndësishme për vendin.
Sepse ato para shkojnë direkt tek njerëzit, pa ndërmjetës, pa zyrtarë që fusin duart.
Janë para që luftojnë drejtpërdrejt varfërinë dhe futen në ciklin jetik përmes konsumit.
Janë para të pastra, mundi e djerse e qindra mijë burrave e grave që megjithë vështirësitë e sfidat që kanë atje ku jetojnë, nuk i harrojnë prindërit me pensionin më të ulët në Europë. Nuk e harrojnë një të afërm në hall, në ditë të vështirë.
Është pra pak më shumë se 10 përqind e buxhetit të shtetit, fondi që ata sjellin e që shpërndahet në mënyrë të atillë që korigjon harresat, arrogancën e mungesën e vëmendjes së autoriteteve. Një fond që është si melhem për plagët që krijon qeverisja e keqe dhe korrupsioni.
Më në fund, kjo pjesë vitale e kombit dhe e shoqërisë, do të votojë.
Me shumë vonesë ligjvënësi, beri detyrën dhe e jetësoi të drejtën kushtetuese që ata e kanë. Personalisht kam qenë pro gjithnjë dhe avokues i votës së emigrantëve. Dhe jam krenar që në fund të korrikut thashë po, në Parlament, për atë ndryshim në Kodin Zgjedhor.
***
Janë mbi 1 milionë votues që jetojnë jashtë e mund të behen pjesë e zgjedhjeve të 11 majit. Një shifër që flet vetë për potencialin që ka për të vendosur për fatin e vendit. Një numër që përkon me atë që kryeministri aktual, e valeviste si trofe në vitin 2013, duke i cilësuar si 1 milionë shuplaka. Duke lajmeruar keshtu dhunen që do të ishte stili i tij qeverisës.
Vota e emigrantëve është sfida e Opozitës në këtë garë. Me erdhi mirë kur pashë se PD kishte lançuar një portal ku nxiste e ndihmonte në identifikimin e certifikimin e tyre.
Me 11 janar nis zyrtarisht regjistrimi që do te zgjasë dy muaj. Me një dokument ID të shtetit shqiptar dhe një adresë ku ai jeton, çdo bashkëatdhetar behet pjesë dhe ushtron të drejtën e tij kushtetuese. Buxheti i shtetit do të mbulojë shpenzimin e postës. Është detyrë e opozitës do insistojë në garancitë e procesit, pasi çdokush në çdo cep të botës e ka dyshimin se vota e tij mund të kapet nga dora e gjatë e rilindjes.
Është e qartë se më i shqetësuari për atë verdikt, është Edi Rama, kjo dhe nga lajmet që raportohen.
Ai e di koston e madhe që ka krijuar me qeverisjen e tij në 3 mandate, dhe kërkon të eksplorojë terrene të reja.
“Nemo profeta in patria”, kanë thënë latinët. Nuk e njohin si profet këtu. I kanë dalë gjithë lekuret. Dhe shpresën e ka se do ta ripaketojë veten për të mashtruar ata që kanë një distancë, duke deshiruar që të mos kenë një panoramë të plotë të korrupsionit e lidhjeve të tij me krimin. Unë besoj se do të deshtojë. Vota e emigrantëve do të sjellë ndryshimin, për shkak se është e lirë nga kthetrat e qeverisë, nuk e kap dot në listat e ndihmes ekonomike, në borderonë e administratës, në rrjetin e trafikut të interesave, në getot e të fortëve.
***
Ti që ngrihesh çdo mëngjes ende pa zbardhur, që punon pa ndalim, e kthehesh në shtëpi pa e parë diellin, ti që nuk ke fundjavë se puna me orë të gjata në fabrikë, kantier ndertimi apo sherbim ta do që të pushosh, ti që nuk të del koha për kafe, raki, për llafe, ti që robtohesh në Europë, Amerikë e kudo në perendim për të siguruar atë jetesë e shkollim për femijet, ti që në fund të muajit pasi ke paguar me paratë e kesaj sakrifice faturat e renda, megjjthatë ndan diçka për babain, nenen, vellain a motren, ose një kushëri që është në pamundesi në Shqipëri, ti ke në dorë kesaj radhe të besh dergesën më të vyer.
Dergesa e 11 majit do të ndryshojë dhe jeten tende atje. Sepse nëse ndalet e keqja dhe vjen një qeverisje e mirë, për njerëzit, që e ndan buxhetin si duhet e jo me klientët, që lufton varfërinë e rrit pensionet e mbështetjen për më të pamundurit, kjo do të permirësojë dhe ditën tende.
Është pikerisht qeverisja e keqe që të ben ty të jesh i shqetësuar për te afermin tend. Që të ben të kursesh, të punosh më shumë per të sjellë para këtu. Të privon nga një kenaqësi, sepse ke dikë që po vuan e nuk mbyll dot muajin në Shqipëri.
Është krejt e qartë, se me votën për ndryshimin këtu, ke ndryshuar jo pak dhe jetën tende kudo ku ndodhesh, në Itali, Greqi, Gjermani, Angli.
Ndaj i dashur emigrant, mos e humb këtë rast. Ndihmo familjen, po sidomos ndihmo vendin tend të dalë nga kriza, të shpetojë nga gremina e një sundimi që nuk ka asgjë për të dhene më, përveçse të përsërisë veten në një version edhe më të zi.