Kontrolle të vazhdueshme janë kryen në pikat e kalimit kufitar me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare dhe kapjen e personave në kërkim.
Sipas policisë gjatë kontrolleve në Qafë Thanë dhe në Kapshticë, janë kapur tre shtetas të shpallur në kërkim.
“Në këtë kuadër shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Qafë Thanë, ndaluan në hyrje, shtetasin 28 vjeç, banues në Drenovicë, Berat, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Po nga këto shërbime u kap dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin 62 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kanosje”. Nga shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë, në hyrje u kapën shtetasit në kërkim: shtetasi 33 vjeç, banues në Elbasan i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim. Shtetasi 28 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan për veprën penale “Vjedhje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të dyja rastet, i kaluan DVP Elbasan, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.