Përhapja e gripit të derrave në Ishull-Lezhë, karantinohet zona, ja se çfarë apelon Ministria e Bujqësisë

Shqipëria

Përhapja e gripit të derrave në Ishull-Lezhë, karantinohet zona, ja se çfarë apelon Ministria e Bujqësisë

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Në Lezhë është identifikuar një tjetër vatër e sëmundjes së Murtajës Afrikane të derrave, këtë herë në zonën e Ishull-Lezhës. Pas rastit të parë në Malin e Rrencit në nëntor, sëmundja ka prekur edhe derrat në këtë zonë më 25 dhe 26 dhjetor.

Si pasojë, mbi 50 derra kanë ngordhur dhe autoritetet veterinare kanë nisur procesin e groposjes së tyre. Tufa e plotë prej 130 krerësh në fermën e prekur është vendosur të asgjësohet, ndërsa zona është futur në karantinë për të frenuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar ndalimin e shitjes së mishit të derrit dhe kafshëve të gjalla në mjedise të hapura dhe në tregjet e kafshëve në territorin e Bashkisë së Lezhës. Për shkak të afërsisë së fermës me zona të banuara, ku shumë familje mbajnë derra, grupet e Shërbimit Veterinar po monitorojnë vazhdimisht situatën për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Murtaja Afrikane e Derrave është një sëmundje ngjitëse dhe fatale për derrat, por nuk përbën rrezik për njerëzit. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se deri tani nuk ka asnjë rast të transmetimit të sëmundjes nga derrat te njerëzit ose kafshë të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat