Gazetari: SPAK ka kërkuar dy herë masë sigurie për Veliajn, nuk e di cila telefonatë e zmbrapsi

Shqipëria

Gazetari: SPAK ka kërkuar dy herë masë sigurie për Veliajn, nuk e di cila telefonatë e zmbrapsi

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 22:40
Gazetari Basir Çollaku

Gazetari Basir Çollaku thotë se Prokuroria e Posaçme ka bërë dy herë kërkesë në Gjykatë për miratimin e një mase sigurie për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Por, sipas tij, në të dy rastet kërkesa nuk është miratuar.

“Prokuroria e Posaçme kishte dërguar kërkesë në Gjykatë për masë sigurie për zotin Veliaj para gati një muaji. Ishte hera e dytë që ata dërgonin kërkesë. Herën e parë nuk e di cila telefonatë e zmbrapsi. Dhe herën e dytë ende nuk ishte marrë vendim, u tërhoqën”, tha Çollaku i ftuar në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

“Pra këto kërkesa janë aty, janë të protokolluara. Se ç’ndodh atje nëpër korridore, politike, diplomatike, kjo mbetet për t’iu thënë rrugës. Por që ka një regjistrim të një procedimi penal në ngarkim të atij zotërie, në atë strukturë, ka. Dhe ajo nuk zhbëhet”.

Kryebashkiaku u mor në pyetje të enjten nga prokurorët e SPAK, ku qëndroi atje për më shumë se 5 orë. Më parë ishte marrë në pyetje për gati 8 orë në muajin prill.

Në një reagim për A2 CNN të premten, Prokuroria e Posaçme tha se ka të dhëna për akuza për 4 katër vepra penale, edhe pse nuk e përmendte me emër kryebashkiakun Veliaj.

Dyshimet e SPAK janë për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Më herët SPAK ushtroi kontrolle në shtëpinë e Veliajt, ndërkohë që ky i fundit nuk ndodhej në Shqipëri dhe sekuestroi celularin e gruas së tij, Ajola Xoxës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat