Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon konfiskimin e të paktën 2.5 milionë euro pasuri të biznesmenit Ndue Gjergji, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020 si pasojë e një atentati me armë zjarri dhe e familjarëve të tij, pasi u provua se lidhen dhe rrjedhin nga veprimtaria kriminale.
Prokuroria në njoftimin zyrtar thote se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’.
Ndue Gjergji, sipas Prokurorisë ka pasur si emër të mëparshëm identitetin Paulin Markaj identifikuar nga “Interpol” Holanda si i hetuar për pastrim parash, ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali.
Njoftimi:
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.03, të vitit 2023, në ngarkim të këtij shtetasi, rezultoi se i ndjeri ka qenë pjesë e një grupi kriminal i cili fushë kryesore të aktivitetit të tij kriminal kishte veprën penale ‘Trafikimit të lëndëve narkotike’ parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Prokuroria provoi se shtetasi N.Gj., ka qenë nën hetim në Hollandë për veprën penale të ‘Pastrimit të parave’ ndërsa më parë ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për drogë në Itali. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar, përsa i përket pasurive të shtetasit N.Gj. dhe familjarëve të tij, rezultoi se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se 13 pasuritë e paluajtshme i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Bazuar sa më sipër, prokuroria vlerësoi se pasuritë e tij dhe familjarëve plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi N. Gj, ka qenë i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Pastrimi i parave” .
Për këtë arsye, prokuroria kërkon konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
1. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
2. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
3. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
4. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2;
5. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
6. Garazh me sipërfaqe. 15.00 m2;
7. Garazh me sipërfaqe 15.00 m2,;
8. Apartament me sipërfaqe 617.84 m2;
9. Apartament me sipërfaqe 87.30 m2;
10. Njësi me sipërfaqe 45.21 m2;
11. Garazh me sipërfaqe 15 m2;
12. Garazh me sipërfaqe 15 m2; dhe
13. Apartament me sipërfaqe 99.70 m2.
Hetimet ndaj Paulin Gjergjit
Hetimi ndaj Paulin Markajt/Gjergjit u tha se ishte filluar më parë prej ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në vitin 2018 e ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës për kompetencë për “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Nga verifikimet ka rezultuar se Markaj është hetuar për trafik droge në Itali, ku është ndaluar një herë në vitin 1999 dhe më pas rezulton të ketë dalë nga burgu në 2011-n. Paulin Markaj u ekzekutua në qershor të 2020 së bashku me një biznesmen tjetër nga një grup autorësh që ishin maskuar me uniforma policie.
Ligji “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i quajtur ndryshe si ligji “Antimafia”, parashikon se “masat parandaluese mund të kërkohen dhe ndaj trashëgimtarëve të personit, subjekt i zbatimit të këtij ligji, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 vjet nga data e vdekjes”, thekson “Birn”. Ndue Gjergji, sipas Prokurorisë ka pasur si emër të mëparshëm identitetin Paulin Markaj identifikuar nga “Interpol” Holanda si i hetuar për pastrim parash.
Ky shtetas, thotë Akuza e kryeqytetit, është i njohur për krime që lidhen me drogën. Më 2011, shtetasi Paulin Markaj ka dalë nga burgu ku ka qenë i arrestuar për drogë dhe është dëbuar nga Italia. Më tej besohet se ai u kthye në Shqipëri ku dhe investoi në 31 asete pasurore. Më 30 maj 2020, në Kurbin, Markaj thënë ndryshe edhe me identitetin Paulin Gjergji u vra në një atentat të dyfishtë teksa së bashku me të u vra edhe Bujar Lika, si dhe u plagos Kreshnik Tusha.