Hapen burgjet, Edi Rama tjetër amnisti, ja kush përfiton nga projektligji që u propozua nga Nasip Naço

Shqipëria

Hapen burgjet, Edi Rama tjetër amnisti, ja kush përfiton nga projektligji që u propozua nga Nasip Naço

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 09:58
Foto ilustrim

Në prag të zgjedhjeve por me argumentin e mbipopullimit dhe kostos, shumica socialiste ka ndërmarrë një nismë ligjore për të “hapur” burgjet. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti socialist Nasip Naço ka propozuar projektligjin që i lehtëson kushtet e izolimit të dënuarve që i kanë mbetur 2 vite e 6 muaj burg. Kjo vlen vetëm për të dënuarit e sigurisë së ulët ndërsa kusht është sigurimi i një kontrate pune në institucion ose me vendim të Komisionit të Vlerësimit të rrezikshmërisë. Projektligji thekson se këto propozime kanë ardhur pas konsultimeve me institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile.

Detajet

Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020, “për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

VENDOSI:

Në ligjin nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 16, pas pikës 4, shtohet pika 4/1 si më poshtë: “4.1. Përjashtimisht nga parashikimet e mësipërme, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve vendos kalimin e të dënuarve nga një institucion i sigurisë së lartë në një institucion të sigurisë së zakonshme, me kërkesë të drejtorit të institucionit, të dënuarit ose të përfaqësuesit të tij ligjor, ku ekzekutohet vendimi ndaj të dënuarit, në rast se i dënuari ka kryer jo më pak se 2/3 e dënimit.”

Neni 2

Në nenin 18, pika 1, ndryshohet si më poshtë: “1. Institucionet e sigurisë së zakonshme janë institucionet ku ekzekutohen dënimet ndaj të gjithë të dënuarve për vepra penale, dënimi i të cilëve kalon pesë vjet burgim, me përjashtim të atyre që vendosen në institucionet e sigurisë së lartë.”

Neni 3

Në nenin 19, pas pikës 1, shtohet pika 1/1 si më poshtë: “1.1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët janë institucione në të cilat, të dënuarit kryejnë dënimin me mbikëqyrje me perimetrin e sigurisë minimal.”

Neni 4

Në nenin 20, pika 1, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme: Pika 1, ndryshohet si më poshtë: “1. Institucioni i hapur është institucioni ose seksioni ku ekzekutohen dënimet ndaj:

a) Të dënuarit me burgim, të cilit i ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur, me kusht që i dënuari të ketë siguruar një kontratë të rregullt pune në institucionin e hapur, kur raporti i komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë së të dënuarve vlerëson se nuk përbën rrezik për sigurinë e institucionit apo të shoqërisë;

b) Të dënuarit me gjysmë lirie.” Pas pikës 1, shtohen pikat 1/1, 1/2, 1/3 dhe 1/4 si më poshtë:

“1.1. Institucioni i hapur është institucioni në të cilin, i dënuari kryen dënimin me mbikëqyrje me perimetrin e sigurisë minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut.

1.2. Për marrjen e vendimit për transferim, Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve mban në konsideratë nëse transferimi lehtëson riintegrimin e të dënuarit, ndihmon në mbajtjen e lidhjeve familjare, sociale dhe ekonomike, përmes aksesit në punësim.

1.3. Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve vendos kalimin e të dënuarve nga një institucion i sigurisë së ulët në një institucion të hapur, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku ekzekutohet vendimi ndaj të dënuarit ose të përfaqësuesit të tij ligjor, në rast se plotësohen kriteret e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

1.4. Kontrata e rregullt e punës në institucionin e hapur është një marrëdhënie juridike që formalizohet me kontratë midis të dënuarit dhe institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, institucioneve të tjera shtetërore ose bizneseve private. Rregullat dhe procedurat mbi kontratën e punës në institucionin e hapur miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.”

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. Kryetari Elisa Spiropali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat