Tre punonjës të Policisë janë pezulluar sot nga detyra, pasi akuzohen se shkelën rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez.
Sipas njoftimit të bluve të Tiranës policia ka marrë menjëherë masa ndaj tre punonjësve pas qarkullimit në rrjete sociale të videos nga momenti i arrestimit të 15-vjeçarit në Tiranë.
Video e publikuar në rrjete sociale tregonte tre policët që ushtronin dhunë ndaj të miturit, duke e goditur me shuplaka dhe grushte.
Punonjësit e Policisë që u pezulluan janë:
-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.
NJOFTIMI
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:
-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;
-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.
Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën, nga punonjësit e Policisë, dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.