Buxheti i Bashkisë Shkodër, këshilltarët e PD kërkojnë rikthimin në Këshillin Bashkiak: U miratua në kundërshtim me…

Shqipëria

Buxheti i Bashkisë Shkodër, këshilltarët e PD kërkojnë rikthimin në Këshillin Bashkiak: U miratua në kundërshtim me…

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 20:14
“Qytetarët e Shkodrës kërkojnë dhe meritojnë transparencë nga bashkia

Këshilltarët demokratë në Këshillin Bashkiak të Shkodrës kërkojnë rikthimin për shqyrtim të Buxhetit të vitit 2025 dhe programit buxhetor afatmesëm përfundimtar 2025-2027 të Bashkisë, me arsyetimin se miratimi është bërë në kundërshtim me ligjet.

“Qytetarët e Shkodrës kërkojnë dhe meritojnë transparencë nga bashkia që tashmë është bërë publike që drejtohet nga një person nën hetim nga SPAK për vjedhje dhe abuzim me fondet publike.

Mes zhurmës dhe kërkesave të këshilltarëve për të marrë fjalën pas prezantimit në 3D të disa projekteve që nuk kanë asnjë lidhje me buxhetin e bashkisë nga ana e Kryetarit të Bashkisë, Kryetari i Këshillit Bashkiak, në mënyrë të papritur dhe të njëanshme, kaloi çështjen për votim, duke mohuar çdo mundësi për pyetje, diskutim apo debat.

Si mund të pranohet një buxhet prej miliarda lekësh, që prek çdo aspekt të jetës së qytetarëve shkodranë, të miratohet në këtë mënyrë, pa asnjë prezantim teknik dhe pa respektuar procedurat e rregullta?

Ky veprim i njëanshëm dhe i përsëritur përbën një shkelje të rëndë të parimeve të transparencës dhe demokracisë, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për mënyrën e drejtimit të mbledhjeve dhe miratimit të vendimeve në Këshillin Bashkiak”, thuhet në deklaratën e këshilltarëve demokratë.

Sipas tyre, ankesa është depozituar pranë institucioneve përgjegjëse, por deri tani nuk ka asnjë reagim.

“Ne kërkojmë që Prefekti i Qarkut të ndërhyjë dhe ta rikthejë këtë vendim për rishqyrtim, duke garantuar që mbledhja e ardhshme të zhvillohet në përputhje me ligjin, me debat dhe transparencë të plotë.

Gjithashtu kërkojmë që prefekti të mos i bindet në mënyrë të verbër një kryebashkiaku që e ka ndërtuar karrierën politike si aleat i krimit të organizuar dhe përgjegjës direkt për akte të rënda korruptive, siç tregojnë hetimet e reja të SPAK.

Buxheti i qytetarëve të Shkodrës nuk mund të fshihet nga Benet Beci siç fsheh pasurinë e tij.

Partia Demokratike mbetet e vendosur për të mbrojtur interesat e qytetarëve shkodranë dhe për të siguruar që fondet publike të trajtohen me përgjegjësi dhe transparencë.

Nuk do të lejojmë që akte të tilla të padrejta dhe të njëanshme të kalojnë në heshtje”, thuhet në deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat