Vala e rritjes së çmimeve që ekonomia shqiptare përjetoi në vitin 2022, me nisjen e luftës në Ukrainë, erdhi në rënie, për të arritur në 2% në fund të muajit nëntor.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur se inflacioni ka ardhur në rënie të shpejtë, duke u rikuperuar plotësisht nga goditja që pësoi për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe arriti në nivelin 2% në nëntor të vitit 2024.
“Pas goditjeve që ka marrë jo vetëm ekonomia shqiptare, por edhe ajo rajonale e botërore nga kriza postpandemike e lufta në Ukrainë, inflacioni shënoi rënie.
Si rezultat i politikës monetare shtrënguese që ne ndoqëm menjëherë dhe mbiçmimit të kursit të këmbimit, por edhe rënies së inflacionit te partnerët tanë tregtarë, ne kemi arritur një nivel inflacioni poshtë 3%, që është objektivi i Bankës së Shqipërisë. Pra ne jemi në nivelin mesatar prej 2%”, u shpreh Sejko në një video postuar në rrjetet sociale.