Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se gjatë vitit 2024, që ishte shpallur zyrtarisht nga qeveria si Viti Kombëtar i Pyjeve, janë mbjellë më shumë se 300 mijë fidanë, ndërsa janë organizuar aktivitete sensibilizuese dhe edukuese, për krijimin e një sinergjie për pyjet dhe biodiversitetin.
Ministrja Kumbaro, shprehet në një postim në rrjetet sociale, se “aktivitetet e pyllëzimit vazhdojnë në të gjithë vendin, ndërsa një botim i ri i Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, siç është “Manuali për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri”, i vjen në ndihmë bashkive, menaxhuesve të kullotave e pyjeve, pylltarëve e qytetarëve”.
“Pyjet dhe menaxhimi i qëndrueshëm i pasurive pyjore do të vazhdojnë të jenë në fokus të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit edhe përtej Vitit Kombëtar të Pyjeve”, thekson ministrja Kumbaro.
Viti 2024 është shpallur nga qeveria si Viti i Pyjeve, ndërkohë që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar edhe një kalendar gjithëpërfshirës aktivitetesh, me fokus rritjen e sipërfaqeve pyjore dhe ruajtjen e tyre.
Pyjet dhe kullotat mbulojnë rreth 65% të territorit të vendit ndaj dhe politikat e qeverisë janë fokusuar në ruajtjen dhe mirëmenaxhimin e tyre. Me reformën e decentralizimit pyjet dhe kullotat kanë kaluar në administrimin e bashkive.