Lënia jashtë procesit të numërimit të votave të emigrantëve nuk u prit mirë nga opozita, e cila kundërshtoi idenë e Komisionerit Ilirjan Celibashit që depolitizimi i trupës zgjedhore të nisë nga Diaspora.
Projektvendimi i KQZ i cakton Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike vetëm rol vëzhguesi në tavolinat ku do të hapen zarfet që vijnë nga diaspora, ndërkohë që numërimi i votave nga jashtë i lihet ne dorë njerëzve jo politik të cilët do të përzgjidhen nga KQZ.
Ivi Kaso, Përfaqësues i PD: Në asnjë gërmë nuk i jepet leje kreative KQZ-së që të shpikë një proces të ri, teksa Kodi Zgjedhor ka rregulla për të gjithë procesin. Nuk jeni të autorizuar të shpikni procedurë krejt të re, ndryshe nga ajo e shqiptarëve që votojnë brenda vendit. Të jetë e njëjtë si brenda vendit.
Elena Xhina, Përfaqësuese e PS: Ka kapërcim të termave, sepse shikoj përshembull përdorimin e termave anëtarë vëzhgues, por po flasim për pjesë në parim.
Ilirjana Nano, Kryetare e Komisionit Rregullator: PS e PD t’i kishin sjellë mendimet me shkrim. Janë pyetur në 12 nëntor.
Mungesa e dakordësisë bëri që mbledhja e Komisionit Rregullator të mbyllej pa vendimmarrje dhe për vendndodhjen se ku do të numërohen votat e diasporës.