Tetë vite në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bregu rendit arritjet

Shqipëria

Tetë vite në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bregu rendit arritjet

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 22:10
Majlinda Bregu

Në përfundim të dy mandateve në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu, renditi disa nga sfidat e arritura për të afruar Ballkanin Perëndimor më afër BE-së.

Udhëtimi i Bregut nisi në vitin 2019, dhe afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe lidhja e tyre më ngushtë me Europën ishin misioni i saj.

“Përpjekja për arritje konkrete dhe mbajtja e shpresës së integrimit në BE, edhe kur fjala “zgjerim” ishte në hije, ishte ndër sfidat më të mëdha”, tha Bregu.

Bregu renditi disa nga arritjet gjatë mandatit të saj, ndër të cilat eliminimi i tarifave roaming, lëvizje që reduktoi deri në 97% tarifat telefonike me BE-në; korridoret e gjelbra gjatë pandemisë, një shpëtim për tregtinë rajonale dhe zinxhirët e furnizimit; njohja e diplomave dhe profesioneve, lehtësi për studentët dhe profesionistët e Ballkanit Perëndimor.

Njëkohësisht, arritje të tjera përmendi Planin e Tregut të Përbashkët Rajonal, një hap drejt Tregut Unik të BE-së; Axhendën e parë e Gjelbër për rajonin, një angazhim konkret për mbrojtjen e mjedisit; platformën për rininë dhe sipërmarrjen e grave, si dhe përfshirjen e brezave të rinj dhe grupeve të margjinalizuara.

“Ky rajon nuk ka qenë asnjëherë më i vetëdijshëm për rëndësinë e bashkëpunimit sesa sot. Në një botë ku pasiguria është norma, bashkëpunimi mbetet thelbësor”, u shpreh Bregu.

Nga 1 janari 2025, detyrën do ta marrë Amer Kapetanoviç, një diplomat me përvojë 25-vjeçare nga Bosnja dhe Hercegovina. Pas gjashtë viteve si drejtor politik i RCC, Kapetanoviç pritet të vazhdojë vizionin e bashkëpunimit rajonal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat