Në emisionin “Open” në News24 është diskutuar lidhur me punën e SPAK. Analisti Agim Baçi tha se njerëz që as e kishin menduar se do të shkonin dhe të jepnin llogari para SPAK kanë shkuar dhe kanë dhënë llogari.
“Kemi qenë në një simbiozë shumë të fortë të krimit me politikën, ose anasjelltas. Shikoni dosjet që kanë ardhur nga ndërkombëtarët, nuk gjejmë vija ndarëse. Dhe kur s’ka vija ndarësi është normale që të sulmohet kaq shumë SPAK”, tha analisti.
Në vijim ai theksoi se SPAK duhet ndihmuar, por nuk duhet të ndodhë që arroganca e tyre për shkak të mbështetjes publike të bëhet e tillë që pastaj të godasin njerëz që të vendosë ekujlibra politikë.
“Kur bëhet fjala për Sali Berishën apo Ilir Metën, nuk është thjesht fati i tyre, por fati i forcave politike, ndaj edhe dosje të tilla duhen qëruar mirë dhe shpejtë, sepse kanë pasoja për demokracinë”, tha Baçi.
Ndërsa Silva Caka duke folur për hetimin e lidhjeve të krimit me politikën, tha se dosjet kanë ardhur nga jashtë.
“Dosjet apo faktet vijnë nga jashtë, kështu që SPAK nuk është se ka ndonjë meritë këtu. Po të ishte për SPAK nuk do të ishte çudi që t’i linin, nëse s’do të kishte një presion nga ndërkombëtarët. Nuk ka gjë të keqe që të hetosh dosjet që sjellin shërbimet partnere, por problemi është kur ndalohet hetimi në momentin që shfaqen lidhjet e krimit të organizuar me politikën. Krimi i organizuar ka marrë një hov kur u infiltrua në politikë”, tha Caka. Në këtë kuadër ajo solli në vëmendje rastin e Jurgis Çyrbes, ish-deputetit të PS-së të arrestuar nga SPAK.
Gazetari Basir Çollaku duke folur për çështjen tha se ndihma e partnerëve në sjelljen e informacioneve apo dosjeve është e jashtëzakonshme. “Referuar dosjeve, shumë banda në Shqipëri kanë ndikuar se kush prokurorë apo gjykatës duhet të qëndrojnë në sistem, dhe kjo tregon se kemi një sistem të kapur. Në sistem kemi plot prokurorë dhe gjyqtarë ish-sigurima, shumë të tjerë me notë mesatare 5 apo 6, dhe sponsori i tyre politik e di këtë gjë dhe çfarë ndodh? Ushtron presionin dhe ata janë të detyruar që të kthejnë nderet”, tha Çollaku.
Por gazetarja Klodiana Lala tha se 2025 do të jetë me dallgë shumë të forta. “Hetime që janë në vijim do të vulosin fatin e zgjedhjeve të 11 majit”, tha Lala.