Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Durrësit mbrëmjen e së hënës, ku një i moshuar është gjetur i masakruar në banesën e tij. Viktima, Paulin Gina, 82 vjeç, u zbulua nga policia pas njoftimit të familjarëve të tij që jetojnë në Itali, të cilët nuk kishin mundur ta kontaktonin.
Sipas burimeve zyrtare, trupi i të ndjerit u gjet rreth orës 18:50 në lagjen nr. 16 të Durrësit. Viktima kishte marrë goditje të shumta me mjet prerës (thikë) në pjesën e bustit dhe të fytyrës. Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e pasdites së së hënës.
Ekipi hetimor dhe eksperti mjeko-ligjor kryen këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe konstatuan se nuk kishte shenja të një grabitjeje, pasi asgjë në banesë nuk ishte prekur.
Ende nuk dihen motivet e mundshme që mund të kenë shtyrë autorin ose autorët në masakrimin brenda banesës të një të moshuari 82-vjeçar.
Policia dhe Prokuroria e Durrësit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, si dhe identifikimin e kapjen të autorit ose autorëve të ngjarjes.