Vrau me thikë dhe çekiç të moshuarin, më pas mbylli derën e banesës dhe…/ Policia zbardh ngjarjen dhe shpall në kërkim autorin e krimit

Shqipëria

Vrau me thikë dhe çekiç të moshuarin, më pas mbylli derën e banesës dhe…/ Policia zbardh ngjarjen dhe shpall në kërkim autorin e krimit

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 09:07
Foto ilustrim

Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një natë më parë, ku një 82-vjeçar i identifikuar si Paulin Gina, u gjet i masakruar me thikë. Në një njoftim zyrtar, blutë bëjnë të ditur se kanë shpallur në kërkim, fqinjin e të moshuarit një 39-vjeçar.

Autori dyshohet se e ka vrarë të moshuarin me thikë dhe çekiç për motive të dobëta, më pas fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.

Njoftimi:

Vrau me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës, pas disa orësh punë hetimore dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia zbardhi ngjarjen, identifikoi autorin e vrasjes dhe e shpalli në kërkim.

Gjithashtu, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i mjeteve të krimit dhe veshjeve që ka patur autori kur ka kryer krimin.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit (fqinj i viktimës).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.

Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.

Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.

Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit F. J., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.

Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Vijon puna intensive për kapjen e 39-vjeçarit.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat